A mund të ketë surpriza për Trump, Kolegji Zgjedhor i SHBA me 19 dhjetor?
Nga Mike Eckel.
I keqkuptuar dhe i përfolur shpesh, Kolegji Zgjedhor i Shteteve të Bashkuara është një institucion që mblidhet çdo katër vjet, me pak bujë, e madje edhe më pak i vështruar. Por, jo edhe këtë vit.
Kolegji, një grup prej 538 njerëzish nga të 50 shtetet dhe Uashingtoni, do të zgjedhë formalisht presidentin e 45-të të SHBA-së “të hënën e parë, pas të mërkurës së dytë të dhjetorit”, siç parashihet edhe me ligjin amerikan.
Takimi këtë vit do të mbahet më 19 dhjetor dhe pritjet janë që personi që ata do të zgjedhin të jetë republikani Donald Trump.
Sytë janë kah ky takim si gati kurrë më parë. Kjo për shkak se rivalja e Trumpit në zgjedhje, kandidatja demokrate, Hillary Clinton, ka fituar votën e popullit më 8 nëntor.
Megjithatë, me Kushtetutën e SHBA-së, Kolegji Zgjedhor është institucioni që zgjedh presidentin dhe jo vota e popullit. Dhe, pasi Trump ka fituar më shumë vota në shtetet specifike, si: Miçigen, Uiskonsin dhe Pensilvani, ai ka fituar më shumë vota të Kolegjit Zgjedhor sesa Clinton – 306 kundrejt 232.
Ankthin sivjet e shton edhe konstatimi i agjencive të inteligjencës së SHBA-së se hakerë, të mbështetur nga Qeveria e Rusisë, kanë ndërhyrë në serverë të partive politike gjatë fushatës zgjedhore.
Raporte në Washington Post dhe New York Times kanë cituar zyrtarë të paidentifikuar të CIA-s të kenë thënë se hakerët rusë mund të kenë forcuar fushatën e Trumpit – akuza që vetë Trump i ka hedhur poshtë.
Claire Ayer, senatore demokrate në Vermont, e cila ka shërbyer si zgjedhëse në Kolegjin Zgjedhor më 2012, thotë se kujton një ankth të ngjashëm në vitin 2000, kur kandidati demokrat, Al Gore, ka fituar votën e popullit, por republikani George W. Bush ka fituar më shumë vota të Kolegjit Zgjedhor. Këtë vit, thotë ajo, duket edhe më keq.
“Ka tërhequr vëmendje, sepse njerëzit janë shumë të shqetësuar me Donald Trumpin. Nuk e kemi pasur këtë ankth për Bushin apo Goren”, thotë Ayer.
Zgjedhësit e Kolegjit Zgjedhor ndahen në përputhje me popullsinë e shteteve dhe zgjidhen nga partitë politike në secilin shtet.
Në pak shtete, ligji kërkon që ata të hedhin votën në bazë të votës popullore. Në të tjerat, ata janë të obliguar ndaj partive politike që i zgjedhin ata.
Ata që i mbrojnë rregullat e shteteve të tyre, ose votën e popullit, shpesh quhen “zgjedhës të pabesueshëm”. Këtë vit ka dalë edhe një titull tjetër për ta: “Zgjedhës të Hamiltonit”.
Kjo është referencë për Alexander Hamiltonin, Sekretari i parë i Thesarit dhe bashkautor i një sërë letrash me ndikim, të publikuara më 1787-1788, që kanë dhënë argumente për ratifikim të Kushtetutës.
Në njërën prej këtyre letrave thuhej se qëllim kryesor i Kolegjit Zgjedhor është të parandalojë “çdo dëshirë të fuqive të huaja për të fituar një mbizotërues i papërshtatshëm në këshillat tanë”.
Një grup ka marrë emrin Hamilton, duke argumentuar se zgjedhësit nuk duhet të votojnë për Trumpin, por për një tjetër republikan.
Nëse kundërshtarët e Trumpit mbledhin mbështetje të mjaftueshme për të bindur së paku 37 zgjedhës që të mos e mbështesin atë, një gjë e tillë do ta bllokonte zgjedhjen e tij dhe do ta dërgonte vendimin përfundimtar në Dhomën e Përfaqësuesve.
“Themeluesit e shtetit kanë pasur qëllim që Kolegji Zgjedhor të ndalojë një person të papërshtatshëm të bëhet president. Kushtetuta që ata e kanë hartuar, na e jep këtë mjet. Ndërgjegjja e kërkon që ta përdorim”, ka thënë grupi.
Grupi nuk u është përgjigjur emaileve për më shumë informacione në lidhje me këto përpjekje.
Disa zgjedhës të tjerë, ndërkohë, kanë kërkuar takim për më shumë informacione në lidhje me raportet për ndërhyrjen e Rusisë, nga shqetësimet për ndikimin e mundshëm në zgjedhjen e Trumpit.
“Zgjedhësit kërkojnë të dinë nga komuniteti i inteligjencës nëse po vazhdojnë hetimet për lidhje midis Donald Trumpit, fushatës së tij dhe ndërhyrjes së Qeverisë ruse në zgjedhje”, ka thënë një grup prej dhjetë zgjedhësish në një letër të hapur të publikuar më 12 dhjetor.