A po luan kryeministri për destabilitet të përkohshëm?
Edi Rama i njeh të gjitha çka mund të bëjë një politikan ballkanik. Nga e mira te e keqja. Ka disa ditë që kryeministri ka inicuar me dinakëri një stuhi ndaj tij, në formën e valëve sizmike, për të krijuar përceptimin publik dhe te ndërkombëtarët se ai dhe Shqipëria janë viktimë e ambicjeve dhe frikës së opozitës ndaj reformës në drejtësi, pra që kundërshtarët e tij duan destabilitet.
Edi Rama duhet të ketë marrë informacione nga segmente të BE se nuk do ti japin Shqipërisë statusin për fajin e qeverisë, pasi nuk ka realizuar reformat e përcaktuara nga Brukseli. Dhe që faji të mos kalojë mbi qeverinë Rama, kryeministri ynë, me djallëzi dhe me lojë dreqnore ka sajuar vetë gjithë këtë stuhi antiqeveri për t’u justifikuar se “ja e ka fajin opozita e cila krijoi destabilitet dhe nuk na e dhanë statusin”.
Opozita kishte deklaruar se asnjë protestë nuk do të bënte ndaj qeverisë derisa të merret vendimi për statusin. Këtë e ka pohuar Monika Kryemadhi dhe Lulzim Basha. Por tinëzisht kryeministri sajoi konfliktin e Rrugës së Kombit, pasi kontratën mund ta firmoste pas statusit. Trarët në Rrugën e Kombit mund ti vendoste kur të donte pas muajit maj. Edhe taksën e pronës dhe plot taksa të tjera mund ti shtonte edhe pas muajit maj, kur mblidhet Samit i BE për statusin e Shqipërisë. Arrestimet i bëri brutale që të acaronte popullsinë.
Rama e do momentalisht konfliktin, ndonëse nuk është aq trim sa ta çojë deri në fund skenarin.
Por logjika djallëzore kryeministrore (duhet pranuar se punon në mënyrë përfekte tamam si sahat sorosian) i krijoi të gjitha këto trazira ku të krijohej një revoltë popullore e cila do të shpërthente. Dhe shpërtheu, natyrisht. Edhe opozita nuk mund të rrinte në bisht të popullit. PD-LSI mbështetën popullin e revoltuar nga taksat, tarifat dhe mjerimi. Eshtë detyrë e çdo opozite kjo, ndaj plasi sherri, protestat, rrëmuja dhe po shkohet drejt asfiksimit të qeverisjes. Java e ardhshme do jetë më radikale.
Gjithsesi Edi Rama e krijoi vorbullën dhe tani fërkon duart me trazirat që po vijnë, duke patur alibinë pas Samitit të BE, që të thotë se “ja opozita e kishte fajin”. Nëse BE ia jep statusin Shqipërisë kryeministri do të dalë e do të thotë se ” mëgjithëse opozita krijoi trazira, prapë BE e votbesoi qeverinë time duke na pranuar si kandidat”. Dhe nëse nuk jepet statusi, në maj, prapë Rama e ka gati justifikimin se “Luli dhe Monika e sabotuan Shqipërinë duke na lenë jashtë BE!”.
S.P.