A po ndikon njoftimi i FBI-së, zgjedhjet?

Kandidatja demokrate Hillary Clinton e quajti kohën e njoftimit të FBI-së se po vlerëson prova të reja lidhur me çështjen për përdorimin e një serveri privat email-i prej saj, si “të paprecedentë” dhe “thellësisht shqetësuese”.

Në një tubim të fushatës në Daytona Beach në Florida të shtunën, zonja Clinton i tha audiencës së saj: “Është shumë e çuditshme të japësh këtë njoftim me kaq pak informacion, pak përpara zgjedhjeve”.

Zonja Clinton më pas shtoi: “Nuk mund t’i lemë këto zgjedhje, në 10 ditët e fundit, të jenë rreth kësaj zhurme dhe hutimi. Ato duhet të jenë për drejtimin që duam për vete, për fëmijët dhe nipërit dhe mbesat tona”.

Drejtori i FBI-së James Comey thotë në një letër drejtuar ligjvënësve të premten se janë zbuluar email-e të reja që lidhen me rastin e përdorimit të serverit privat nga zonja Clinton, pavarësisht traditës së FBI-së për të shmangur veprime të debatueshme në ditët para zgjedhjeve.

Njoftimet të shtunën bënë të ditura se zyrtarët e Departamentit amerikan të Drejtësisë paralajmëruan zotin Comey se informimi i Kongresit rreth materialeve të reja nuk ishte në përputhje me praktikat e ndjekura nga departamenti. Zoti Comey i dërgoi një letër personelit të FBI-së ku shpjegon arsyen pas këtij veprimi të pazakontë.

“Ne zakonisht nuk i themi Kongresit për hetimet që kryejmë”, tha ai “ po për këtë rast ndjej detyrën ta bëj një gjë të tillë, duke patur parasysh se dëshmova disa herë gjatë muajve të fundit se hetimi ynë kishte përfunduar. Mendoj gjithashtu se nuk do të ishte e drejtë për popullin amerikan nëse nuk plotësonim të dhënat.”

Ndikimi i garës

Njoftimi i FBI-së ka nxitur kritika se agjencia po ndërhyn në garën presidenciale. Ndërsa janë zbuluar email-a, The New York Times njofton se agjentët e zbatimit të ligjit duhet të marrin urdhër nga gjykata për t’i lexuar ato, një proces që me siguri nuk do të përfundojë para ditës së zgjedhjeve.

Të shtunën, kandidati republikan Donald Trump e quajti këtë zhvillim “pikën më të ulët në historinë e vendit.”

Zoti Trump foli gjatë një tubimi në shtetin e Kolorados ku tha: “Një votë për Hillarin është një votë për t’ja dorëzuar qeverinë tonë korrupsionit publik, marrjes së rryshfeteve që kërcënojnë themelet e sistemit tonë kushtetues”. Ai premtoi se në ditën e zgjedhjeve, më 8 nëntor, gjërat do të ndryshojnë.

Analisti politik Norman Ornstein, me Institutin “American Enterprise”, i tha Zërit të Amerikës se koha e njoftimit të FBI-së ishte “tronditëse”.

“Është e qartë, se nuk ka urgjencë në këtë çështje,” tha ai. “Kjo nuk ka shumë të ngjarë të zgjidhet për muaj të tërë. Në sipërfaqe, duket se nuk ka diçka thellësisht të ligë. … Nëse do të njoftosh këtë vendim 11 ditë para zgjedhjeve, ke një detyrim të thellë për të dhënë më shumë informacion. “

Ndërlikime të thella

Historiani politik Allan Lichtman tha të shtunën se zoti Comey mund ta ketë bërë njoftimin për të mbrojtur kredibilitetin e tij, por rezultatet e veprimit të tij janë shumë më tepër sesa personale.

“Tragjedia këtu është se për të shpëtuar veten nga akuza se ai ka fshehur prova të reja, zoti Comey ka ndikuar në mënyrë të njëanëshme në zgjedhjet presidenciale,” tha zoti Lichtman. “Kjo do të vendosë kursin për të ardhmen e vendit, jo vetëm për katër vitet e ardhshme, por ndoshta për gjeneratën e ardhshme… Ai nuk duhet ta kishte bërë këtë veprim..”

Lichtman, i njohur për saktësinë e tij në parashikimin e rezultateve të zgjedhjeve amerikane, nuk pranoi të spekulojë nëse ky zhvillim do të ndikojë votuesit për zonjën Clinton. Ai tha se fushata Clinton ka bërë ndoshta të vetmen gjë që mund të bënte – që janë thirrjet për nxjerrjen e të gjithë informacionit lidhur me çështjen.

“Si mund t’i përgjigjesh diçkaje kaq të paqartë?” tha Lichtman. “Mund të mos ketë asnjë pasojë, por nuk e dimë këtë dhe nuk mund të nxjerrim asnjë përfundim nga letra e FBI-së.”

Zoti Lichtman theksoi gjithahstu se FBI ka qënë jashtëzakonisht e hapur për çështjen Clinton, ndërsa nuk ka komentuar lidhur me akuzat se Rusia mund të jetë duke u përpjekur të ndikojë zgjedhjet amerikane duke hakeruar sistemin kompjuterik.

‘Akt Politik’ Nga FBI

Jason Johnson, profesor i shkencave politike dhe komunikimit në Universitetin “Morgan” në Merilend, i tha Zërit të Amerikës se beson se zoti Comey po përpiqet të influencojë zgjedhjet.

“Është e pamundur ta ndash këtë njoftim nga një akt politik. Është qartësisht një akt nga ana e drejtorit të FBI-së për të patur një farë ndikimi në fushatën presidenciale.”

Hillary Clinton bëri thirrje të premten që FBI-ja të publikojë informacionet e zbuluara. “I bëjmë thirrje FBI-së të publikojë të gjithë informacionin që ka. Ashtu siç theksoi zoti Comey, se ky informacion i ri mund të jetë i parëndësishëm, atëherë le të bëhet publik,” tha zonja Clinton.

Njoftimet të premten zbuluan se agjentët e FBI-së gjetën email-a të tjera gjatë një hetimi për ish-ligjvënësin e Nju Jorkut, Anthony Weiner, i cili është ndarë nga këshilltarja e lartë e zonjës Clinton, Huma Abedin. Email-at njoftohet të jenë gjetur në një kompjuter që përdorej nga zonja Abedin dhe zoti Weiner.

(Marre nga Zeri i Amerikes)

SHKARKO APP