Shqipëri/ Acar, akull dhe epidemi
Pas festave të fundvitit, 2017-ta ka nisur me reshje bore, temperatura të ulëta dhe epidemi gripi që ka përfshirë gjithë vendin.
Gjatë ditës së djeshme, pjesa veriore e vendit është mbuluar nga bora. Reshjet dhe ulja temperaturave ka bërë që akulli të bëjë të pamundur kalimin e makinave në disa akse rrugore. Ndërsa në disa zona të tjera kalimi në rrugë bëhet me zinxhirë. Reshjet intensive të borës që kanë përfshirë Dibrën kanë arritur në 15 cm në qytetin e Peshkopisë, ndërsa në zonat e thella arrin 30-40 cm. Nisja e reshjeve në Bulqizë është shoqëruar me erë të fortë dhe me ulje të temperaturave deri në -10 gradë Celsius. Situatë alarmante ka qenë dje dhe në Kukës, ku trashësia e dëborës ka arritur në 20-25 centimetra. Bashkia e Kukësit ka mbledhur shtabin e emergjencave për t’i paraprirë çdo përkeqësimi i kushteve atmosferike. Në Rrugën e Kombit, pas problemeve gjatë paradites qarkullimi është normalizuar në të gjitha korsitë. Ministri i Transporteve, Sokol Dervishaj inspektoi dje Rrugën e Kombit ku pa nga afër punën për mirëmbajtjen e rrugës dhe garantimin e kalimit të mjeteve në këtë sektor.
Situata, sipas parashikimeve, pritet të vijë duke u përkeqësuar. Por problemi kryesor nuk do të jenë reshjet, por temperatura e ulëta. Pritet që gjatë kësaj jave dhe sidomos të shtunën dhe të dielën temperaturat të arrijnë nivele rekord. I ftohti siberian pritet të mbërthejë gjithë vendin me temperatura që në zonat malore të vendit do të arrijnë deri në minus 20 deri 25 gradë, ndërsa në zonat e ulëta deri në minus 10-15 gradë. Një ulje e tillë e temperaturës ka të paktën 30 vjet që nuk është regjistruar në zonat e ulëta dhe në bregdet, gjë që pritet të sjellë jo pak probleme në transport dhe në ngrohje. Shtabet e emergjencave civile në qarqe dhe në çdo bashki kanë nisur të marrin masat e para për fundjavën e acartë që pritet të mbërthejë gjithë vendin.
Edhe me alarmante sesa temperaturat e ulëta që priten është situata aktuale me virusin e gripit. Të dhënat e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë flasin për një epidemi në shkallë kombëtare. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë rezulton se rreth 18 mijë persona janë prekur nga virusi i gripit vetëm brenda një jave. Kjo shifër pritet të shtohet gjatë ditëve në vijim. Vetëm në Tiranë, gjatë një dite, në qendrat shëndetësore janë rreth 850 persona që marrin mjekime për simptomat e gripit. Bëhet fjalë për virusin AH3N2, i cili ka nisur të shfaqet në muajin dhjetor dhe rezulton të jetë më agresiv sesa viruset e tjera. Për shkak se virusi u shfaq me vonesë në vend, pjesa më e madhe e pacientëve e kanë pasur të pamundur që të merrnin vaksinën parandaluese. Duke parë rritjen e numrit të të prekurve, mendohet se këto janë dhe faza më agresive e tij. Për këtë qëllim, Ministria e Shëndetësisë urdhëroi dy ditë më parë mbylljen e çerdheve dhe shkollave në vend deri në datën 6 janar. Kjo masë u morë për të parandaluar përhapjen e epidemisë së gripit në vend. Dje Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj pranoi se situata mund të përkeqësohet edhe më tej. Ai tha se nëse do të jetë e nevojshme do të kërkohet shtyrja e afatit për mbylljen e shkollave.
Në këtë situatë me acar dhe epidemi nuk kanë munguar dhe akuzat politike. Partia Demokratike akuzoi Ministrinë e Shëndetësisë për mosmarrjen e masave në kohën e duhur. Sipas PD-së, vaksinat mungojnë në treg për shkak të keqmenaxhimit dhe qendrat shëndetësore nuk funksionojnë plotësisht. Akuzave të PD-së ju përgjigj mbrëmë Kryeministria duke theksuar se të gjitha masat janë marrë në kohën e duhur. Sipas Kryeministrisë “PD duket qartësisht se është, më së paku e painformuar, ose edhe më keq, e vonuar në zgjimin nga gjumi i rënduar nga udhëtimet dhe festat e ndërrimit të viteve”.
Ashtu si dhe epidemia dhe temperaturat e acarta janë vetëm në ditët e para edhe përplasje politike duket se vetëm sapo ka nisur. Priten në ditët e ardhshme përplasje me të forta mes PD e PS. Kemi hyrë në vitin zgjedhor parlamentar.