Acari ”pushton” Shqipërinë, pezullohet mësimi në disa shkolla

Reshjet intensive të borës dhe temperaturat e ulëta kanë “mbërthyer” Shqipërinë. Reshjet e borës dhe ulja e temperaturave ka bërë që në disa prej akseve rrugore të ketë probleme sa i takon qarkullimit të automjeteve. Ngricat kanë krijuar probleme edhe në disa shkolla në vend, ku nxënësit kanë bojkotuar mësimin.

Mbyllet shkollat në Korçë

Acari në qarkun e Korçës po ndikon në zhvillimin e procesit mësimor. Në disa fshatra të thellë raportohet se mësimi në shkolla nuk ka nisur në kohë si pasojë e motit të ftohtë. Një ditë më parë mësimi u zhvillua me orë të reduktura. Në Korçë temperaturat kanë zbritur nën -12 gradë celsius ndërsa pritet që edhe mësimi të pezullohet ne disa institucione arsimore për shkak të të ftohtit të papërballueshëm. Situata e shkaktuar nga moti i keq ka shpërfaqur një tjetër problematikë si rrjedhojë e reformës territoriale. Mungesa e mjeteve borëpastruese për Njësitë Administrative ka sjellë edhe vështirësi sa i takon pastrimit të rrugëve në zonat rurale çka sipas prefektit të Korçës është një problematikë që kërkon zgjidhje. Në mbledhjen e shtabit të emergjencave në Korçë problemi i pastrimit të rrugëve të fshatrave nga bora është konsideruar si një shqetësim ndërsa për menaxhimin e situatës disa prej bashkive të qarkut juglindor kanë hasur vështirësi si pasojë e pamjaftueshmërisë së mjeteve për pastrimin dhe hapjen e rrugëve nga bora.

Refuzohet mësimi në disa fshatra

Ulja e ndjeshme e temperaturave ka nxjerrë në pah problematika infrastrukturore në shumë shkolla të vendit, sidomos mungesën e sistemit të ngrohjes. Një problem i tillë ka prekur edhe shkollën 9-vjeçare ”Don Martin Trushi” në Vaun e Dejës në Shkodër dhe nxënësit duke filluar nga sot kanë bojkotuar mësimin me kërkesë të prindërve. Shkak është bërë refuzimi i ngrohjes me gaz, për shkak të pasigurisë. Kjo për faktin se kaldajat, që funksionojnë me naftë nuk mund të vihen në funksion sepse automati i shkollës është me një faze. Prindërit dhe nxënësit kanë dorëzuar një peticion dhe shprehen se bojkotojnë mësimin derisa të sigurohet ngrohja në shkollë.

Qarku Shkodër

Në qytetin e Shkodrës temperatura ka zbritur në -5 gradë ndërsa në qark temperaturat kanë shënuar deri në -13 gradë. Momentalisht të gjitha asket janë të kalueshme normalisht me përjashtim të rrugës qafë Thorë-Theth, e cila kalohet me vështirësi. Bashkia Pukë ka paralajmëruar banorët për situatën e orëve në vijim ku parashikohet se do të ketë reshje të vazhdueshme bore dhe temperatura që do zbresin deri në -13 gradë. Edhe në Pukë të gjitha akset janë të kalueshme normalisht. Në të gjitha akset e rajonit verior nuk ka pasur reshje gjate natës. Moti me diell. Temperaturat të ulëta. Janë kriposur vendet ku ka pasur ngrica. Përveç segmentit ”Ura Cerenecit-Stëblevë” që nevojiten zinxhirët, të gjitha rrugët e tjera qarkullohen normalisht. Në territorin e Bashkisë Fushë-Arrëz temperaturat kanë qenë të ulëta -12 gradë celsius dhe mot i kthjellet. Rrugët janë të gjitha të kalueshme, por e theksojmë se vazhdon prania e akullit në rrugë dhe duhet të ketë kujdes. Për momentin gjithçka është nën kontroll. Vazhdon kriposja e rrugëve në aksin Fushë Arrëz-Fierzë dhe Fushë Arrëz-Iballë.

SHKARKO APP