Acarohen raportet mes Turqisë dhe Greqisë, anijet luftarake greke qëllojnë anijen turke
Turqia dhe Greqia japin informacione të kundërta për të shtënat kundër një anijeje turke në zonën kufitare. Këto të shtëna kanë tensionuar edhe më shumë gjendjen mes tyre.
Sipas informacioneve nga Greqia, roja bregdetare greke ka qëlluar me të shtëna paralajmëruese ndaj anijes turke, për shkak se kjo anije po lëvizte në zonat ujore greke pranë ujdhesës Lesbos.
Kapiteni i anijes “Anatolian” kishte refuzuar më parë kërkesën e autoriteteve greke për kontrollin e anijes. Anija më pas lundroi në ujërat e afërta turke, kumtoi Qendra e rojeve bregdetare greke të dielën në mëngjes. Rojet bregdetare turke u informuan për incidentin, i cili ndodhi të shtunën nga mesdita, kumtuan autoritetet greke.
Turqia pohon të kundërtën
Versioni turk i ngjarjeve është i ndryshëm: Të shtunën, media turke, duke cituar një pjesëtar të rojes bregdetare turke, raportoi se drejt anijes “Anatolian” është qëlluar njëmbëdhjetë milje detare larg ishullit turk Bozcaada, në ujërat ndërkombëtare. Autoritetet turke thonë se dy anijet greke të përfshira në këtë incident nuk i kanë respektuar ligjet ndërkombëtare. Sipas televizionit shtetëror turk TRT, anijet greke janë larguar nga vendi i ngjarjes kur rojet bregdetare turke kanë mbërritur atje.
Roja bregdetare turke shoqëroi “Anadolianin”, i cili lundronte nën flamurin e Komorës. Zyra e prokurorit vendor ka nisur hetime, njofton Anadolu News Agency.
Shkaqet e mosmarrëveshjeve
Marrëdhëniet mes dy partnerëve të NATO-s, Greqisë dhe Turqisë, janë në një pikë të ulët për shkak të konflikteve të shumta. Të dy vendet akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të hapësirës ajrore. Turqia është e zemëruar edhe për militarizimin e ishujve grekë në Egjeun lindor. Përveç kësaj, ka mosmarrëveshje të përsëritura edhe për shkak të shpimeve nga autoritetet turke në kërkim të gazit në Mesdhe.
Mediat kanë publikuar video ku shihen granatimet. Këto të dhëna nuk kanë mundur të konfirmohen nga burime të pavarura. Në këtë rajon lëvizin shumë anije që sjellin emigrantë të paligjshëm nga Turqia në Greqi ose Itali. Roja bregdetare greke kontrollon pothuajse çdo anije që lëviz në mënyrë të dyshimtë në detin Egje. Marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve të NATO-s, Greqisë dhe Turqisë, po tendosen kohët e fundit