Adriatik Lapaj: Rama dhe Berisha e kanë sjellë Shqipërinë në këtë gjendje të mjeruar
Kreu i partisë Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj, vijon qëndresën e tij para Kryeministrisë, ku prej 57 ditësh po zhvillon protesta kundër qeverisë.
“Jemi përballë zyrës së njeriut që drejton qeverinë më të korruptuar të Europës. Prej 57 ditësh qëndrojmë këtu për t’i thënë sa herë që kalon se drejton një bandë hajdutësh. Vendimi i Gjykata Kushtetuese për ta shtyrë çështjen Balluku është i paarsyetuar dhe po e zvarrit padrejtësisht këtë proces”, u shpreh Lapaj.
Ai përmendi gjithashtu ngjarjet e fundit në vend, duke iu referuar rrëzimit të rrugës në Librazhd dhe arrestimeve të shumta për çështjen e mbetjeve të rrezikshme, si tregues të asaj që e cilësoi krizë qeverisëse.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të komentuesve, Lapaj tha se protesta do të vijojë pa afat dhe falënderoi qytetarët që i janë bashkuar tubimeve.
“E kam thënë që do të rrimë këtu derisa të marrim masa. Protesta do të vazhdojë edhe nëse mbetet vetëm një njeri. Ata që thoshin se ishim pak, më 31 janar e panë sheshin plot. I falënderoj nga zemra të gjithë ata që iu përgjigjën thirrjes”, theksoi ai.
Qëndrimi ndaj Berishës dhe opozitës
I pyetur për kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, Lapaj u shpreh prerë se nuk ka pasur dhe nuk do të ketë asnjë bashkëpunim politik me të.
“Ne nuk jemi me Sali Berishën. As jemi ulur dhe as do të ulemi ndonjëherë me të. Nuk është çështje personale, por politike. Me demokratët ulem çdo ditë. Shqipëria ka nevojë për bashkim përtej ndarjeve partiake”, deklaroi Lapaj.
Në deklaratat e tij, Lapaj akuzoi drejtpërdrejt Edi Rama dhe Sali Berishën si përgjegjës për situatën aktuale politike dhe institucionale në vend.
“Sipas meje, Rama dhe Berisha janë dy autorët që e kanë sjellë Shqipërinë në këtë gjendje. Protestat tona janë për rrëzimin e qeverisë, që Rama të tërhiqet dhe më pas të krijohet një qeveri tranzitore. Ne nuk po flasim për grusht shteti, por për zgjidhje politike dhe ndryshim të Kodit Zgjedhor, i cili sot i jep pushtet të pakufizuar Ramës”, përfundoi Lapaj.
KOHA JONË SONDAZH

