AKIP, Ambasadës së SHBA: Ndryshoni tekstin, protesta nuk është e PD
Aleanca Kundër Importit të Plehrave (AKIP) i ka kërkuar Ambasadës së Shteteve të Bashkuara që të korrigjojë deklaratën ku thotë se protesta kundër importit të plehrave organizohet nga partia opozitare.
Përmes një statusi në Facebook, AKIP thotë se: “Lidhur me njoftimin zyrtar të Ambasadës Amerikane për marshim-protestën e ditës së nesërme kundër importit të plehrave, i bëjmë me dije Ambasadës Amerikane se autorësia e kësaj proteste i takon Aleancës Kundër Importit të Plehrave, AKIP, që është një grupim vullnetarësh qytetarë dhe ojf-sh. Leja për protestën e nesërme është dërguar nga AKIP. I kërkojmë menjëherë Ambasadës Amerikane të korrigjojë tekstin pasi sipas njoftimit të saj, kjo protestë organizohet nga opozita”.
Më herët, Ambasada e SHBA me anë të një mesazhi ka informuar gjithë qytetarët amerikanë që jetojnë në Tiranë për protestën e nesërme.
Në mesazhin e Ambasadash thuhet se qytetarët duhet të bëjnë kujdes në zonën ku do të grumbullohen protestuesit. Ajo që bijë në sy në mesazhin e SHBA është se protesta e orës 11:00 etiketohet si e thirrur nga Partia Demokratike dhe jo nga shoqëria civile.
Nga ana tjetër, shënimi për qytetarët e SHBA thotë se protesta organizohet kundër importit të mbetjeve jo të rrezikshme.
Teksti i mesazhit:
Ambasada e SHBA-së në Tiranë informon qytetarët e SHBA-së se partia opozitare shqiptare po organizon një demonstratë kundër importit të mbetjeve jo të rrezikshme në Shqipëri, të planifikuar për të filluar të shtunën, më 1 tetor, në orën 11:00.
Protestuesit pritet të mblidhen në afërsi të qendrës Tajvan, në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, për të shkuar drejt ndërtesës së Kryeministrisë. Një turmë e madhe e protestuesve është parashikuar që të rëndojë trafikun.
Ambasada nuk është në dijeni për ndonjë kërcënim të veçantë kundër qytetarëve apo interesave të SHBA-së.
https://www.facebook.com/akipalbania/posts/1309962579028073
Ambasada e SHBA thirrje qytetarëve amerikanë: Kujdes në protestën e PD!