Reagimi i shoqatave/ Frangaj-Rakipi-Shkullaku: Akt banditesk i RTSH
Edhe kjo ndodhi. Nuk i shkonte në mendje asnjeriu se një ceremoni me përmasa kaq të mëdha kombëtare me rastin e Lumturimit të 38 martirëve të Kishës Katolike nga Papa Francesku të ndërpritej pa patur asnjë problem teknik. Thjesht pa përgjegjshmeri ose me e keqja keqdadhje.
Shoqata e Gazetarëve Profesionistë (Armand Shkullaku), Shoqata e Mediave Elektronike (Aleksander Frangaj) dhe Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë (Ylli Rakipi) shprehin injdinjatën e thellë për aktin e paprecedentë të Televizionit Publik Shqiptar, që ndërpret sinjalin e transmetimit për mediat e tjera gjatë ceremonisë me rastin e lumturimit të 38 martirëve të Kishës Katolike nga Papa Francesku, që u mbajt sot në Katedralen e Shkodrës.
Lumturimi i 38 martirëve të Kishës Katolike është një ngjarje me interes mbarëkombëtar që mblodhi në qytetin e Shkodrës autoritetet më të larta të vendit, përfaqësues të Vatikanit e të komuniteteve fetare në vend. Ceremonia solemne u ndoq nga mijëra qytetarë në sheshin para Katedrales së Shën Shtjefnit, e miliona shikues të tjerë përmes mediave vizive.
Por Televizioni Publik shqiptar, që si zakonisht në raste të tilla prodhon sinjalin për të lehtësuar konfuzionin që do krijohej nga prania e shume kamerave të televizioneve të tjera, në mënyrë të njëanshme e me një akt banditesk e injorant, ndërpreu papritur sinjalin për televizionet që po e përcillnin ceremoninë për shikuesit e tyre. Pa e kuptuar rëndësinë mbarëkombëtare të kësaj ngjarjeje të jashtëzakonshme, me një sjellje të padenjë, TV publik e konsideron prodhimin e sinjalit të kësaj ceremonie, si një produkt të vetin, duke u hequr mundësinë mediave të tjera që ta përcjellin për shikuesit e tyre, si të ishte një ceremoni sportive apo ngjarje artistike.
TV publik që duhet të jetë modeli informimit pa kufij të shikuesve, po shndërrohet në modelin e mendësisë së mbyllur, e krejt të paditur për rëndësinë e rolit të vet. Tv publik nuk mund të bëhet konkurent në treg me veprime të tilla qe reflektojne vetem injorance, por me permiresimin e programeve qe prodhon vete. Nuk mund te jete kurre nje ngjarje e tille me rendesi kombetare, ekskluzivitet i transmetimit te nje televizioni te vetem dhe ligji e parashikon qarte si veprohet ne raste te tilla. Shoqatat tona i kerkojne Komisionit Parlamentar te Medias, Autoritetit te Mediave Audiovizive dhe Keshillit Drejtues te RTSH, te analiziojne kete shkelje te ligjit te Medias dhe te marrin masa ndaj drejtuesve injorante qe urdheruan aktin arrogant e te paprecedent te nderprerjes per te gjithe televizionet e tjera te sinjalit te ketij evenimenti te rendesishem kombetar.
Partia Demokratike ka reaguar përmes një deklarate, ku akuzon kryeministrin Rama për ndërprerje të sinjalit televiziv të TVSH-së gjatë zhvillimit të meshës në Shkodër për lumturimin e 38 martirëve të kishës të ekzekutuar në kohën e komunizmit. Sipas PD-së Rama jo vetëm e bojkotoi këtë ceremoni, por urdhëroi edhe ndërprerjen e sinjalit televiziv për televizionet që e transmetonin.
Më poshtë deklarata e plotë.
Lumturimi i 38 martirëve, nga Papa Francesku, në një ceremoni të zhvilluar në Shkodër eshte një ngjarje unike për Europën dhe Botën.
Për Shqipërinë dhe kombin shqiptar e sotmja eshte një ditë reflektimi dhe ndjese për krimet cnjerëzore komuniste ndaj lirise dhe besimit ne Zot.
Por Edi Rama zgjodhi ta bojkotojë këtë ngjarje të përmasave boterore. Jo vetem nuk denjoi te ishte i pranishem por urdhëroi TVSH të ndërpresë sinjalin në mes të aktivitetit për tre televizione të rëndësishme në vend, News 24, ABC-News dhe Ora News.
Duke bojkotuar këtë ngjarje kombëtare me përmasa botërore e historike, ku kryeministri nuk mund të mungojë për asnjë arsye, duke urdhëruar ndërprerjen e sinjalit televiziv, Edi Rama i kujtoi cdokujt se kush është dhe kujt i përket.
Edhe të enjten në Parlament në mënyrë demonstrative ktheu fundshpinen kur po votohej rezoluta e Partisë Demokratike për dënimin e krimeve të komunizmit ndaj klerit e kur po lexoheshin emrat e martirëve dhe vuajtjet e tyre.
Me keto akte të ulëta Rama dëshmon përbuzjen dhe përcmimin për sakrificat sublime të klerit. Ne vend të frymes së pajtimit, paqes dhe bashkimit ai zgjedh si perherë, përcarjen, urrejtjen dhe konfliktin. Shqiptaret duhet të bashkohen për ti thënë JO, Edi Rames, të shkuarës së krimeve, të shkuarës së konfliktit. Ai nuk përfaqeson as të sotmen, aq më pak të nesërmen e Shqipërisë. Shqipëria ka nevoje për paqe, bashkim dhe harmoni. #Shqiperia më mirë pa Edi Ramen.