Akuza për zyrën 10 mln euro. Edi Rama: Basha, gënjeshtar i pacipë dhe vulgar

Kreu i opozitës Lulzim Basha dhe kryeministri Edi Rama janë “përplasur” sot në rrjetet sociale për investimet dhe shpenzimet e buxhetit të vitit 2017 për institucionin e Kryeministrisë.

Me anë të një video të publikuar në faqen e tij në Facebook, kreu i PD Basha thotë se ‘buxheti i 2017 është për qejfin e Kryeministrit dhe jo hallet e njerëzve’. Basha deklaron se Kryeministri Edi Rama ka parashikuar të shpenzojë 10 milionë euro për luksin dhe argëtimin e tij në zyrën e Kryeministrisë. “Kryeministri ka parashikuar ndërtimin e një restoranti personal, një bari personal, një sallë për konjak dhe puro dhe një sallë masazhi dhe fizioterapie”,- shprehet Basha.

Në përgjigje të pretendimeve të Bashës ka reaguar dhe Kryeminisitri Edi Rama. Kryeministri e cilëson një tallje me njerëzit dhe lojë të pacipë gënjeshtrash nga opozita në mungesë të një vizioni dhe programi për vendin.

“Kur gënjeshtra i ka këmbët e gjata dhe fytyrën mbuluar me maskën tallëse të pafytyrësisë, shumëkush e ngatërron gabimisht me politikën; në fakt është vetëm pengmarrja e politikës për qëllimin më të ulët, synimin e pushtetit duke helmuar e çoroditur sa më shumë njerëz, në një përpjekje të harbuar për asgjësuar shpresën përmes asgjësimit të të vërtetave, shkatërrimit të provave, zhdukjes së fakteve! Ja një shembull fantastik i politikës si tallje me njerëzit, si shprehje ekstreme e vulgaritetit, si lojë e pacipë gënjeshtrash në mungesë të një vizioni, programi, lidershipi e skuadre, që duhet t’u ofronte shqiptarëve alternativën e opozitës për ta bërë më të mirë atdheun e përbashkët…”,- shkruan Rama.

https://www.facebook.com/edirama.al/posts/10154326448796523?match=ZWRpIHJhbWE%3D

SHKARKO APP