Akuzat e deputetit: Rama po kap drejtësinë. SHBA dhe BE i varën ujkut mëlçitë në qafë
Për deputetin demokrat dhe ekspertin e ligjeve, Oerd Bylykbashit kryeministri Edi Rama kap të gjitha institucionet e reja të drejtësisë. Në një koment në Facebook, ai krahason rolin e ndërkombëtarëve dhe qëndrimin e Edi Ramës me rolin që patën aleatët në Shqipëri gjatë luftës së dytë botërore.
Bylykbashi shpjegon se aleatët e furnizuan me armë ushtrinë partizane dhe partinë komuniste, por më pas këto armë u përdoren për të vendosur diktaturën dhe për të larguar aleatët.
Deputeti i PD shton se Edi Rama nuk ka ndërmend të bëjnë reformë, por vetëm të përdor institucionet e reja për të ruajtur veten e tij nga drejtësia. Në këtë pikë, rolin e ndërkombëtarëve dhe kontributin që kanë dhënë për drejtësinë dhe mbështetjen e Ramës, Bylykbashi e argumenton me shprehjen “i varën ujkut mëlçitë në qaf”.
Komenti i plotë i Oerd Bylykbashit
“Reforma në drejtësi nuk është armë që hidhet me parashutë! Në Luftën e Dyte Botërore, në vitet 1943-1944, Aleatët perëndimorë hodhën sasi të mëdha armësh e municionesh për partizanët komunistë, sepse premtonin më shumë se të tjerët që të luftonin nazistët. Me ato armë, partizanët komunistë u fuqizuan, fituan luftën civile ndaj nacionalisteve, i vranë dhe i përzunë ata dhe më 28 nëntor 1944, me ato armë të Aleateve morën pushtetin. 70 vjet para 22 korrikut 2016, nën vështrimin e përfaqësuesve Aleatë, çimentuan pushtetin e tyre me Kushtëtutën e 1946 me vota të dhunuara nën presion.
Më 22 korrik 2016, amendamentet kushtetuese kishin qëllim pikërisht që të pengonin kapjen e drejtësisë nga pasardhësit e komunisteve, e të përdorej si armë ndaj kundërshtarëve politikë, por të shërbejë për të vënë në vënd drejtësinë: ministrat e korruptuar, të lidhur me krimin, kriminelët trafikantë të shkojnë në burg, prona tek i zoti dhe drejtësi e thjeshtë dhe e shpejtë.
Reformën në drejtësi Edi Rama nuk mund ta konsiderojë si armët që parashutoheshin në 1944 me shpresën se komunistët do sillnin demokracinë. Një kryeministër i korruptuar dhe kriminalizuar, por që ulëret se do të bëjë reformë në drejtësi, do të bëjë me këto “armë” veçse atë që di të bëjë më mirë. Ne fakt, siç i thonë në anglisht, ai është “the big white shark” që Aleatët presin të bjerë në rrjetë. Në shqip i themi “nuk i varen ujkut mëlçitë në qafë”.