Akuzat e PD, Petrit Vasili: Basha të ndaj se ku është, këtu apo në Hollandë
Pas akuzave të Partisë Demokratike në adresë të LSI-së ka ardhur dhe reagimi i Kreut të Grupit Parlamentar të kësaj force politike, Petrit Vasili.
Në një deklaratë për mediat, Vasli u shpreh se kreu i PD-së, Lulëzim Basha, duhet të ndaj mendjen nëse jeton me problemet që ka vendi, apo është në Holandë. “Basha të zgjedhë realitetin apo qellin e 7-të. Basha të ndaj se ku është, këtu apo në Holandë”,- tha Petrit Vasili.
Vasli shtoi se PD-ja duhet të qartësojë dhe objektivat e saj opozitar. “Problemi i PD-së nuk është LSI-ja, por oligarkia”,- tha Vasili.
Kreu i deputetëve të LSI-së tha se kjo forcë politike vendos mbi të gjitha interesat e tjerë, aleancën me qytetarët dhe interesin e qytetarëve.
Vasili ka folur dhe për dekriminalizimin e politikës dhe ka komentuar qëndrimin e PD-së për deputetin Shkëlqim Selami. Sipas PD-së, Selami ka fshehur dënimin e tij për trafik qeniesh njerëzore në Itali. Lidhur me këtë çështje Vasili tha se: “Dekriminalizimi është standard i panegociueshëm i LSI-së. Nuk kam pasur informacion për asnjë deputet me rekorde të tilla. Jemi në mbështetje totale të prokurorisë për të zbardhur çështjen. Kushdo që ka probleme me dekriminalizimin nuk është me pjesë e LSI”,- tha Vasili.
Debati PD-LSI nisi pas rrëzimit të propozimit të LSI-së kundër koncesionit të fundit në Ministrinë e Shëndetësisë. Deputetët e PD-së nuk e votuan nismën e LSI-së edhe pse më parë ishin shprehur kundër koncesionit. Mosvotimi në Kuvend nga PD bëri që nisma e fundit e qeverisë për koncesionet e laboratorëve të kalojë për miratim.
Në një deklaratë për mediat, gjatë ditës së sotme, PD-ja akuzoi LSI-në si bashkëfajtore të keqqeverisjes. “Vendimin për koncesionin e laboratorëve e merr qeveria dhe jo Kuvendi. Nëse Ilir Meta është kundër koncesionit e ka të thjeshtë: ta rrëzojë atë në qeveri. Le të bllokojë qeverinë ose të dalë nga qeveria. Por këtë LSI nuk e bën dot, sepse qeverisja është oksigjeni që mban në jetë LSI-në”,- thuhet në deklaratën e PD.
[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=KEurPFLLGok&feature=em-uploademail” width=”560″ height=”315″]
Lexoni dhe:
Koncesionet e laboratorëve spitalorë. LSI kundër, PS pro dhe PD mbylli sytë