Akuzë e rëndë:Po prishin shtëpitë te Unaza që të bëjnë pallate shumëkatshe me baronët e drogës
Skandalet te Unaza e Re nuk mbarojnë. Pasi Ylli Rakipi në emisionin “Te PaEzkpozuarit” nxori dokumenta mashtruese për firmën e cila kishte marrë tenderin për 18 milionë euro, sonte Lulzim Basha ka bërë një akuzë të rëndë. Ai ka thënë se projekti i kryeministrit është që gjoja në emër të rregullimit të Unazës, po prish banesat e 1 mijë familjeve, e ku më pas ajo zonë të mbushet me pallate shumëkatshe me persona që drejtojnë sot krimin e organizuar.
Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka ndryshuar Planin Urbanistik për të favorizuar eksponentët e krimit që të pastrojnë paratë.
“Këtu tek Unaza e re është konsumuar një krim i tretë që përfshin drejtpërdrejt Erjon Veliajn dhe Edi Ramën. Është manipuluar plani urbanistik i qytetit të Tiranës, për t’i hapur rrugë një skeme kriminale e cila mbi gërmadhat apo rrënojat e shtëpive që donin të prishnin këtu do ndërtonin pallate shumëkatëshe me paratë e krimit të organizuar. Me paratë e krimit të organizuar, të njerëzve që kanë bërë drogën dhe krimin e organizuar në Shqipëri” – tha Basha.
“Ne po mbledhim të dhëna zyrtare për këtë aferë kriminale, e cila për nga vlera financiare tejkalon 40 milion eurot e shqiptarëve që po vidhen nga buxheti i shtetit. Pra, këtu po vidhet dyfish, apo plani është të vidhet dyfish: 40 milion euro nga buxheti dhe dhjetëra milion euro të tjera me ndërtime mbi këto banesa që duan t’i prishin pa ligj, ku do të pastrohen paratë e drogës.
Për këtë Edi Rama dhe Erion Veliaj së bashku kanë ndryshuar planin urbanistik të qytetit, në mënyrë që eksponentët e krimit të organizuar të pastrojnë paratë e drogës dhe natyrisht ti ndajnë ato me Edi Ramën dhe shpurën e tij të korruptuar”, – deklaroi Basha.
Nëse vertetohet se prishja e banesave të familjeve te Unaza po bëhet që të ndërtohen komplekse pallatesh nga njerëz të lidhur me qeverinë, kjo është kriminale.