Presidenti Meta takim me forumet rinore PD, PS, LSI
Presidenti Ilir Meta, në kuadër të Aleancës për dhurimin e gjakut, zhvilloi ditën e sotme një takim me tre forumet rinore të partive LSI, PS, PD. Takimi u zhivllua pranë Qendrës Rinore në Tiranë.
Në fjalën e tij, Presidenti Ilir Meta bëri apel që të rinjtë dhe gjithë qytetarët të kontribuojnë për dhurimin e gjakut, për njerëzit në nevojë.
Presidenti Meta shprehu falenderimin dhe kënaqësinë që të rinjtë e forumeve të partive politike janë bashkuar për një çështje jashtëzakonisht humane siç është dhurimi i gjakut.
“Dëshiroj t’ju falënderoj përzemërsisht që ju, tre forumet rinore të partive kryesore politike, u bëtë së bashku pjesë e ‘Aleancës për Dhurimin e Gjakut’, duke treguar një ndjenjë të lartë përgjegjshmërie sociale dhe humanizmi. Është shumë e rëndësishme që objektivat e ‘Aleancës për Dhurimin e Gjakut’ t’u bëhen të ditura të gjithë të rinjve tanë, dhe jo vetëm të rinjve të forumeve politike, por edhe atyre të shoqatave studentore, të shoqatave rinore, që të gjithë së bashku të ndërmarrim një fushatë ndërgjegjësimi për rëndësinë e dhurimit të gjakut”, – tha Presidenti Meta.
“Të dhurosh gjak është një akt humanizmi dhe solidariteti me ata që kanë nevojë jetike për të, siç janë të sëmurët talasemikë, të sëmurët kronikë, ata që kryejnë ndërhyrje kirurgjikale apo që pësojnë aksidente. Besoj që ju do të luani një rol thelbësor për këtë kauzë, prandaj ju bëj një apel të drejpërdrejtë , që t’i bashkohen kësaj nisme duke dhuruar gjak, por edhe duke u bërë dhurues të rregullt. Ky apel bëhet më i fortë, veçanërisht në këtë periudhë të stinës së verës, kur rezervat e gjakut pakësohen për shkak të rënies së numrit të dhuruesve”, – shtoi Presidenti Meta.
Gjithashtu, Presidenti i Republikës u shpreh se shoqëria jonë duhet të nxisë vullnetarizmin dhe solidaritetin në dhurimin e gjakut dhe se të rinjtë mund të sjellin një ndryshim të madh për suksesin e kësaj kauze humane.
Pas takimit Presidenti Meta shkruan në profilin e tij në Facebook:”Falenderoj me zemër forumet rinore të FRESSH, FRPD dhe LRI që i janë bashkuar sot “Aleancës për Dhurimin e Gjakut”, duke treguar një ndjenjë të lartë përgjegjshmërie sociale, solidariteti dhe humanizmi. Është e rëndësishme që së bashku të ndërmarrim një fushatë ndërgjegjësimi te të gjithë të rinjtë për suksesin e kësaj kauze jashtëzakonisht humane”.