Ambasadorë! Flisni tani kur krimi po ndodh, pasi më pas kot të flisni!

Nga Mili Xhani

Kryeredaktor i KOHA JONE

Ka disa manipulime të mëdha në opinionin publik lidhur me debatin e nisur nga Edi Rama për ndryshimet kushtetuese lidhur me reformën zgjedhore.

Manipulimi i parë është se ndryshimet kushtetuese të rilindjes dhe opozitës pseudo parlamentare nuk prekin marrëveshjen e 5 qershorit mes PS, PD dhe LSI. Një pikë e kësaj marrëveshje të firmosur në prani të ambasadorëve dhe në tokën amerikane në rezidencën e SHBA në Tiranë, thotë se pakti do të votohet në Kuvend ashtu siç është hartuar, pa ndryshuar asnjë rresht të saj. Edi Rama thotë se nuk po e prek marrëveshjen me opozitën reale, por po bën një marrëveshje paralel me opozitën false në Kuvend. Marrëveshja paralele shkatërron jo vetëm 5 qershorin, por gjithë konsensusin politik mes opozitës dhe pozitës, gjë e cila nuk ka ndodhur në këto 30 vite, kur kanë firmosur. Në thelb të nismës së PS është  ndryshimi i Kushtetutën në mënyrë të njëanshme, gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë. Deputetët anonimë në Kuvend nuk llogariten si opozitë në asnjë rast dhe nuk përfaqësojnë askënd, aq më pak qytetarët.

Manipulimi i dytë dhe më flagrant është krijimi i idesë së gjithë debati bëhet për hapjen e listave të deputetëve. Në fakt, listat janë karremi ku rilindja ka tërhequr opinionin publik për të mbështetur lojën e tyre kriminale. Pas listave fshihet kërkesa, që s’është më sekrete, e ndalimit të koalicioneve parazgjedhore. Me futjen e listave automatikisht bien koalicionet dhe në këtë mënyrë Edi Rama shpreson se do të dalë sërish forcë e parë dhe do të ketë të drejtën e krijimit të qeverisë. Futja me koalicione i jep avantazh opozitës reale që në nisje të garës dhe praktikisht e shpallë fituese të zgjedhjeve që para ditës së votimeve. Ndaj për të zhbërë koalicionet, Edi Rama kërkon lista të hapura. Personalisht Edi Rama nuk ka qenë kurrë në favor të listave. Nëse kthemi pas në kohë, në vitin 2008 kur u ndryshua sistemi elektoral nga mazhoritar në proporcional kombëtar ishte Edi Rama ai që kërkoi listat e mbyllura. Arsyeja ishte e thjeshtë, listat e mbyllura i japin dorë të lirë në kontrollin e partisë dhe eliminimin e kundërshtarëve brenda saj. Spastrimi politik i socialistëve nga rilindja nisi realisht pas vitit 2008, kur Edi Rama nuk vendosi asnjë nga ata që e kritikonin. Edi Rama nuk është në favor të listave edhe për një arsye tjetër. Listat kërkojnë emra të spikatur politik dhe njerëz me kredenciale të forta në opinion. Nëse shikon sot kabinetin qeveritar të PS, veç dy apo tre emrave, ministrat e tjerë nuk i njohin as vet socialistët. Është pak e vështirë që me këta ministra dhe deputetët, që siç thotë Edi Rama nuk kanë as nga 2 mijë friendsa në Facebook, të arrijë të fitojë 800 mijë vota me lista të hapura. Sigurisht Edi Rama shpreson shumë të oligarkët dhe çunat problematikë që do të punojnë për rilindjen në fushatë, por nëse hedh sytë nga lista e tij, aty gjen vetëm rilindas që nuk i njeh askush. Dashuria e Edi Ramës për listat nuk lidhet me kërkesat e qytetarëve dhe as më modernizimin e procesit zgjedhor. Është thjeshtë manipulimi i radhës për të sabotuar zgjedhjet e ardhshme duke ndaluar koalicionet.

Manipulimi i tretë i rilindjes lidhet me rolin e ndërkombëtarëve. Këto ditë në mediat afër qeverisë ka dalë varianti se listat e hapura dhe ndalimi i koalicioneve janë një variant i afërt me atë që propozoi Ambasadorja e SHBA disa muaj më parë, për sistemin danez. Në këtë mënyrë, rilindja synon të marrë me të mirë ndërkombëtarët dhe u kërkon të mos reagojnë kur ai të kryejë atentat ndaj Kushtetutës dhe grusht shteti institucional. Por Edi Rama dhe propoganda e tij mediatike po mashtrojnë publikun se gjoja edhe “ndërkombëtarët e duan, ndaj po heshtin”.

Negociatat u mbyllën më 5 qershor dhe ishte ambasadorja e SHBA ajo që garantoi se marrëveshja do të votohej në parlament pa ndryshuar asnjë presje. Çdo rihapje e temës për sistemin dhe reformën para zgjedhjeve të 2021 nuk ka qëllim bërjen e një procesi më të rregullt, por shkatërrimin e zgjedhjeve.

Edi Rama duket i vendosur ta zhbëjë Marrëveshjen dhe të shkojë drejt çmendurisë së ndryshimit të Kushtetutës me forcën e kartonave me deputetët idiotë të opozitës parlamentare.

Ambasadorët e huaj (disa) sa herë dilte PD dhe LSI në protesta para kryeministrisë apo në Bulevard këta, pra ambasadorët, nxitonin të dilnin me dekarata se nuk duhej thyer asnjë xham apo se nëse dikush hedh një tymuese përgjegjsia do të ishte e Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit.

Po tani që kryeministri Rama po i turpëron hapur duke mos ua njohur firmën e Marrëveshjes së përpiluar nga tre ambasadorë; Amerikan, i Bashkimit Europian dhe atij të Britanisë së Madhe pse nuk reagojnë këta?! Si ka mundësi që kryeministri po zhbën Kushtetutën si një diktator dhe këta nuk flasin!

A do kenë më të drejtë ambasadorët të flasin kur Basha-Kryemadhi do ftojnë popullin te kryeministria për betejën finale? Apo prapë do thonë se “mos hidhni shishe”?!

Ambasadorët duhet të flasin!

Nëse heshtin kur krimin e ka para syve dhe po i sfidon publikisht atëhere më mirë të merren me linjat turistike të qytetarëve të tyre se sa të na japin leksione për demokracinë.

Demokracia mbrohet edhe me gjoks e përballje kur ke një regjim që financon oligarkët e ku bandat e drogës mbushin me vota koshat e kutive të votimit për PS dhe Edi Ramën.

Ndaj flisni sa nuk është vonë, ose na lini se i zgjidhim vetë ne shqiptarët!

SHKARKO APP