Ambasadori i BE vlerëson ministrin Xhafaj për goditjen e grupit “Bajri”

Ambasadorin e ri të Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca ka vlerësuar punën e Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme për goditjen e grupit kriminal “Bajri”. Në një takim zhvilluar sot me ministrin Fatmir Xhafja, ambasadori Soreca vlerësoi maksimalisht punën e institucioneve të sigurisë.

“Ambasadori vlerësoi maksimalisht arritjet e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit. Ai u shpreh se mbetet i gatshëm të ofrojë edhe ekspertizën e tij, në fushën e sigurisë. “Lufta kundër krimit të organizuar, çëshjet e sigurisë dhe migracioni do të mbeten prioritete edhe në muajt në vijim”, nënvizoi z.Soreca.  Ambasadori pati një vlerësim të veçantë për operacionin ndaj grupit kriminal “Bajri” në Shkodër, duke theksuar rëndësinë e njohjes së rezultateve pozitive”,- njofton zyra e shtypit e Ministrisë së Brendshme për takimin.

Arrestimi i 11 anëtarëve të grupit kriminal “Bajri” në Shkodër është një nga operacionet më të të fundit të Policisë së Shtetit. Në këtë operacion që drejtohej nga autoritet shqiptare morën pjesë dhe policitë e disa vendeve të BE, si Belgjika, Holanda dhe Polonia. Aksioni i policisë shqiptare ka marrë vlerësime dhe nga këto vende të BE, ku grupi kishte një aktivitet të zgjeruar kriminal.

Gjatë takimit, ministri Xhafaj konfirmoi se prioritetet e Ministrisë së Brendshme përputhen me ato të BE-së. “Duam të konsolidojmë dhe thellojmë marrëdhëniet me Delegacionin, duke vendosur një komunikim intensiv”, u shpreh Xhafaj.

Ministri i dorëzoi Ambasadorit, Dokumentin e Prioriteteve dhe Planin e Veprimit, si dhe e informoi rreth rezultateve të deritanishme të punës së Ministrisë së Brendshme. Ai e njohu z. Soreca në mënyrë të hollësishme me rezultatet e fundit të Policisë së Shtetit në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”; procesin e Vetting-ut në Polici, për të cilin kërkoi asistencë dhe ekspertizë për mbarë-vajtjen e tij.  Gjithashtu bashkëbiseduesit u ndalën në rëndësinë e projektit të Policimit në Komunitet, duke i dhënë rëndësinë e duhur procesit në nivel vendor.

Ministri e falëndëroi Soreca për inkurajimin dhe mbështetjen që Delegacioni dhe Ambasadori i ri, i ka dhënë edhe personalisht punës dhe rezultateteve të Policisë së Shtetit.

Ambasadori i BE-së në Tiranë u angazhua për t’i dhënë shtysë procesit të hapjes së negociatave, duke punuar fort për të bindur edhe ato shtete skeptike, mbi ecurinë dhe progresin e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së.

SHKARKO APP