Ambasadori i SHBA takon Presidentin Ilir Meta

Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Donald Lu ka takuar sot Presidentin e Republikës, Ilir Meta. Interesit të mediave lidhur me takimin e sotëm mes Presidenti Meta dhe Ambasadorit Lu, i është përgjigjur Drejtori i Kabinetit të Presidentit Arben Cici.

Drejtori i Kabinetit të Presidentit, Arben Cici

Në një pronocnim për mediat, Arben Cici u shpreh se: “Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta priti sot në një takim Ambasadorin e SHBA-së në Shqipëri Donald Lu me të cilin diskutuan mbi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona dhe mbi çështjet aktuale të sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare. Në kuadër të integrimit evropian të Shqipërisë, çështjes së rëndësishme të hapjes së negociatave u nënvizua rëndësia e ecurisë dhe implementimit të reformës në drejtësi dhe u shkëmbyen mendime rreth situatës aktuale në vend.

Fryma e përzemërt, miqësore dhe bashkëpunuese karakterizoi, ashtu si gjithmonë, këtë takim“.

Takimi është zhvilluar në Presidencë dhe vjen një ditë pas disa lajmeve ku ish-kryeprokurori Adriatik Llalla deklaronte se ambasadori Lu i kishte kërkuar të arrestonte Metën. Po dje, ambasadori Lu denoncoi këtë qëndrim të ish-kryeprokurorit. Në një prononcim për mediat, ai deklaroi se deklaratat e Adriatik Llallës janë mashtrime dhe fyerje për qytetarët shqiptarë dhe institucionin e Presidencës.

Në një reagim dje për News24 dhe “BalkanWeb” Lu tha se Llalla është i korruptuar dhe se rrezikon të shkojë në burg. Lu deklaron se deklaratat e Llallës janë “gënjeshtra fyese dhe një ofendim për Presidentin Meta dhe popullin shqiptar”.

Ish-Prokurori i Përgjithshëm Llalla është një zyrtar publik i korruptuar dhe diskredituar, i cili është nën hetim aktiv për pastrim parash dhe pasuri masive të pashpjeguara. Nuk është për t’u habitur që vazhdon të flasë kundër reformës në drejtësi sepse tani rrezikon të shkojë në burg për korrupsionin e tij.
Ai ka pretenduar se brenda katër muajsh nga mbërritja ime në Tiranë, unë i paskam thënë të arrestojë ish-Kryetarin e Kuvendit Ilir Meta. Kjo është një gënjeshtër absurde nga Z. Llalla, pa kurrfarë baze në fakte. Gënjeshtra e tij fyese është një ofendim për Presidentin Meta dhe popullin shqiptar”, shprehet Donald Lu.

 

SHKARKO APP