Ambasadori italian: Call Center nuk mbyllen. S’rrezikohen vendet e punës

Ambasadori italian në Shqipëri, Alberto Cutillo ka qetësuar sot shqiptarët pas aprovimit të ligjit në Itali për kompanitë Call Center jashtë vendit.

Në një aktivitet nga Shkodra, ambasadori Cutillo tha se as Call Center-at dhe as bizneset fasone nuk rrezikojnë të mbyllen por do të funksionojnë me rregulla të reja.

“Nuk ka asnjë rrezik për “call center”-at. Nuk do të ketë mbyllje të tyre, pra 25 mijë vendet e punës nuk janë të rrezikuara. Ligji i ri thjesht shtrëngon rregullat e aktivitetit”, ka thënë Cutillo.

I pyetur nëse do të ketë shtrëngim në ligj edhe për aktivitetin e fasonerisë në vendin tonë, diplomati italian është shprehur: “Sa i përket fasonerisë nuk jam në djeni nëse do të ketë ligje të ngjashme si ai për “call center””.

Nga ana tjetër edhe ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi deklaroi sot se ligji i miratuar kërkon të rregullojë aktivitetin informal.

“Ligji rregullon shkëmbimet telefonike në Itali. Në Shqipëri, Call Center funksionojnë Outband. Po shikojmë mundësinë e rregullimit të situatës”, ka thënë ajo.

Në Shqipëri, deri në fund të vitit 2015 numëroheshin 847 kompani Call Center, me mbi 25 mijë të punësuar, sipas të dhënave nga tatimet.

Një ditë më parë, Zëvendësministrja italiane e Zhvillimit Ekonomik, Teresa Bellanova, deklaroi se ligji prek edhe kompanitë që operojnë në vendin tonë. Ajo pohoi se rregullorja do të hyjë në fuqi 90 ditë pas botimit të ligjit në Fletoren Zyrtare.

Ajo deklaroi në një intervistë për mediat italiane se është parashikuar një gjobë prej 50,000 euro në ditë nëse nuk respektohet nga sipërmarrjet kjo rregullore e re.

SHKARKO APP