Ambasadori Lu: Basha dhe Rama ose të bien dakort, ose të mbyllen brenda !

Deklaratë e fortë e Ambasadorit Donald Lu. Ai ka dalë sot në një konferencë për mediat në Ambasadën Amerikane. Lu ka theksuar dhe një herë nevojën e reformës në drejtësi. Ambasadori Lu u shpreh se ka ende kohë për negociata mes kreut të PD dhe Kryeministri, por në fund theksoi se reforma do të miratohet. Edhe Ilir Meta sot me nje deklarate per mediat deklaroi paradite se duhet qe Rama te ulet me Bashen e te gjejne zgjidhje.

Ambasadori Lu ne deklaraten e pasdites se sotme ishte shume i rrepte dhe mire beri. Duke lënë të kuptohet se nëse nuk ka konsensus reforma do miratohet edhe pa Partinë Demokratike.

“Reforma do behet, e vetmja çështje është nëse Rama dhe Basha do të mbahen mend për suksesin apo dështimin e saj”,- u shpreh Ambasadori.

Diplomati amerikan nuk e fshehu pakënaqësinë ndaj politikanëve në Tiranë. Ai tha se “të gjithë jemi të acaruar me qëndrimet e politikanëve shqiptarë”. Lu u shpreh se kishte refuzuar një propozim të bërë sot nga kreu i PD-së, Lulzim Basha. “Sot z. Basha paraqiti një propozim të ri. Unë i thashë z. Basha se propozimi i tij ishte i papranueshëm”,- tha ai.

Veç kësaj, Lu ka dhënë dhe një shans për konsensus mes palëve. Ai ftoi kreun e PD dhe kryeministrin Edi Rama që të takohen për të gjetur një marrëvesje. Lu tha se dy kryetarët duhet të qëndrojnë në negociata në një vend për takim dhe të mos dalin derisa të jetë arritur konsensus.

“Propozoj që z. Rama dhe z. Basha të takohen bashkë dhe të mos dalin nga takimi pa një zgjidhje. Kjo do të tregojë se kush është pro dhe kush është kundër reformës”,- tha Lu. Ambasadori u shpreh se ata ose duhet të qendrojnë në dhomën e takimit sa të gjejnë një marrëveshje, ose të qendrojnë përjetë të mbyllur.

DEKLARATA E PLOTË E AMBASADORI TË  SHBA, DONALD LU

Të dashur miq shqiptarë!

Mendoj se ka një gjë për të cilën biem dakord.  Të gjithë jemi të acaruar dhe të lodhur me udhëheqësit politikë të Shqipërisë.

Sot, Z. Basha tha se opozita kishte vendosur mbi tavolinë një propozim të vlefshëm. I thashë Z. Basha se propozimi i tij ishte i papranueshëm nga Shtetet e Bashkuara dhe se tregon që ka thyer zotimin e tij ditën e dielë ndaj Ambasadores Nuland.

Gjithashtu sot, Z. Rama njoftoi se ai u ka dhënë fund negociatave me opozitën dhe se do të pranonte çdo kërkesë të opozitës që miratohet nga BE dhe SHBA.  Unë e refuzoj edhe këtë rol.  Përgjegjësia për zgjidhjen e problemeve politike të Shqipërisë është e udhëheqësve shqiptarë.

Propozoj një zgjidhje të thjeshtë. E sfidoj kryeministrin dhe kreun e opozitës që të takohen ballë për ballë të hënën dhe të premtojnë publikisht se nuk do të largohen nga salla e takimit deri sa të kenë një zgjidhje për çështjen e fundit të kësaj reforme.  Le të shohim se kush është me të vërtetë në favor të mbështetjes së një kompromisi.

Kjo do ta zgjidhë problemin në njërën prej dy mënyrave. Ata ose do të gjejnë një zgjidhje që mund të mbështetet si nga qeveria, ashtu edhe nga opozita. Ose, mund të mbyllen brenda asaj salle takimi së bashku, përjetë.  Disa muaj më parë kam pyeta se kush ka më shumë frikë nga kjo reformë?   Krerët e krimit të organizuar? Gjyqtarët e korruptuar? Apo politikanët kriminelë?  Sot, përgjigja është e qartë.  Të gjithë ata kanë frikë dhe të gjithë po e luftojnë.

 Të enjten, deputetët e kuvendit kanë mundësinë të tregojnë qëndresë për popullin e nderuar të Shqipërisë, që po e kërkon këtë reformë.  Ka ende kohë që Z. Basha dhe Z. Rama të gjejnë një kompromis.  Nëse ata nuk munden, Kuvendi duhet ta miratojë këtë reformë.

 Harku i historisë është i gjatë, por anon nga drejtësia. Reforma në drejtësi do të miratohet. E vetmja pyetje është nëse ky kuvend dhe udhëheqësit e partive politike, do të mbahen mend për suksesin apo do të fajësohen për dështimin e saj”.

VIDEO/Deklarata e Ambasadorit

[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=XEOnPxV3RlU&feature=em-uploademail” width=”560″ height=”315″]

SHKARKO APP