Ambasadori Lu: Do futen në burg politikanët e korruptuar dhe mafia
Nëse ka një njeri më të vendosur në Shqipëri për ndëshkimin e zyrtarëve dhe politikanëve të korruptuar ai është Ambasadori Donald Lu. Ambasadori Amerikan ka dalë sot në një takim për “Luftën ndaj korrupsionit” dhe ka deklaruar prerë se sado ta vonojnë zbatimin e reformës në drejtësi dhe sidomos ligjin e Vetting-ut përsëri qeveria e SHBA është e vendosur që me anë të drejtësisë së re, të pasmiratimit të reformës, do të shkojnë në burg kapot e krimit të organizuar në Shqipëri si dhe krejt politikanët e korruptuar shqiptarë.
Si rrallëherë, Donald Lu, e theksoj ngadalë e me zë të lartë se do të futen në burg politikanët e korruptuar nga e djathta dhe e majta. Ai përmendi me emra disa prokurorë amerikanë dhe specialistë të FBI, të cilët rrijnë në Tiranë prej kohësh për të filluar arrestimet me prokurorët e përzgjedhur shqiptarë që do specializohen në SHBA.
Ambasadori dukej stoik në ato çka deklaroi, duke e përmendur fort dhe disa herë fjalën “burg” për politikanët e korruptuar në Shqipëri. Ambasadori Lu theksoi që akuzat nga qarqet të caktuara politike ndaj reformës dhe ndaj EURALIUS janë të dënueshme dhe bëhen për të zgjatur ditët e mosndëshkimit të tyre para drejtësisë.
Ai tha se me çështjen e përkthimit të ligjit të Vetting-ut, u sulmua pa të drejtë ambasadorja e BE dhe misioni EURALIUS, për të cilët po thonë gjëra të pavërteta. Lu iu referua kreut të Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se ai është shprehur që përkthimi nuk ka gabime thelbësore. Sipas opozitës, ndryshimet në përkthim janë të rëndësishme dhe mund të ndikojnë opinionin e Komisionit të Venecias. Kryeministri Rama, që foli para ambasadorit, tha se nuk pret surpriza nga Venecia, pasi është bërë sipas ndryshimeve kushtetuese, të çertifikuara prej saj. Rama thumboi Gjykatën Kushtetuese, duke thënë se shpreson që ajo të mos nxjerrë ndonjë pengesë tjetër. BE e ka pranuar se ligji i përkthyer me gabime është i EURALIUS, por nuk ka dhënë shpjegime.
Donald Lu nuk heshti as sot. Ai foli saktë dhe prerë para të pranishmëve në këtë takim, ku ishte edhe kryeministri Edi Rama.
Ndërkohë sot Presidenti i Republikës Bujar Nishani dekretoi datën 18 qershor 2017 si datë të zgjedhjeve. Mësohet nga burime diplomatike të besuara se SPAK-u dhe prokurorët e specializuar amerikanë do të fillojnë arrestimet para zgjedhjeve parlamentare të datës 18 qershor 2017. Burimi në fjalë tha se një politikan i lartë nga qeverisja e kaluar e djathtë, por që momentalisht nuk ka funksione të larta, është nën hetim intensiv.
Fjala e Ambasadorit të SHBA Donald Lu në Simpoziumin Antikorrupsion “Sytë Drejt së Ardhmes: Muri i Korrupsionit Çahet!”
I nderuar Kryeministër Rama, ambasadorë, gjyqtarë, prokurorë, policë, studentë dhe profesorë,
Në Shtetet e Bashkuara ka një rast të njohur korrupsioni që u zbulua në vitin 2008. Ai përfshinte dy gjykatës që morën më shumë se 2.6 milionë dollarë rryshfet nga burgje private për të mitur në këmbim të dënimeve të rënda për t’i mbajtur burgjet plot.
Një prej viktimave të këtij korrupsioni ishte 17 vjeçarja Hillary Transue që në vitin 2007 postoi në faqen e saj të medias sociale një shaka, ku tallej me nëndrejtorin e gjimnazit të saj. Ndonëse shënimi tregonte qartësisht se ishte një shaka, gjykatësi e dënoi me tre muaj në burgun për të mitur, për ngacmim. Prindërit e panë të tmerruar tek e morën me pranga në duar.
Mbi 2,000 të rinj mund të jenë burgosur padrejtësisht dhe jetët e tyre u shkatërruan, për shkak të veprimeve të këtyre dy gjykatësve të korruptuar. Dy gjykatësit u pushuan nga puna dhe do të kryejnë shtatë vite dënim në burgun federal. Tani janë duke u rishqyrtuar të gjitha çështjet e tyre.
E përdor këtë shembull për të theksuar kostot e tmerrshme njerëzore të korrupsionit në nivele të larta. Në Shqipëri, çdo familje ka një histori për të treguar se si korrupsioni i ka prekur jetën. Disa ankohen për inspektorë tatimorë të pangopur që i detyrojnë të mbyllin bizneset. Të tjerë flasin për biznesmenë të korruptuar që krijojnë monopole në sektorin farmaceutik ose që kontrollojnë politikanë për të ndikuar vendimin për një tender ose pronë. Ose, se si gjykatës apo prokurorë të korruptuar kërkojnë pará, seks ose favore për një vendim gjyqësor korruptiv.
Në korrik, Kuvendi i bëri popullit shqiptar një dhuratë — miratimin e ndryshimeve kushtetuese për krijimin e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Për herë të parë në historinë e Shqipërisë, këto institucione të reja do të sigurojnë një kapacitet të pavarur të akuzës dhe të hetimit për të kapur krerët e krimit të organizuar dhe zyrtarë të lartë të korruptuar.
Ata do ta bëjnë këtë me mbështetjen e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Por, kjo do të funksionojë vetëm nëse populli shqiptar ka pritshmëri të larta dhe kërkon rezultate nga këto institucione të reja. Ju duhet të prisni që shumë prej kontrabandistëve të drogës dhe krerë të krimit të organizuar në Shqipëri, do të futen në burg.
Duhet të prisni që politikanë të lartë të korruptuar, nga e djathta dhe e majta, do të përballen me drejtësinë.
Dhe më e rëndësishmja, duhet të prisni që kontrabandistë droge, krerë të krimit të organizuar dhe politikanë, gjykatës e prokurorë të korruptuar të jenë të frikësuar.
Shohim prova se këta persona janë tashmë të frikësuar dhe se po përpiqen të luftojnë kundër kësaj reforme.
Për shkak të frikës së tyre, ata po sajojnë histori dhe thonë gënjeshtra për Ambasadoren e BE-së, EURALIUS-in dhe Gjykatën Kushtetuese. Sikurse e tha vetë Kryetari i Gjykatës Dedja, Gjykata ka dërguar tashmë një përkthim të rishikuar në Komisionin e Venecias dhe asnjë nga dallimet e përkthimit nuk ishte thelbësor.
Të gjitha partitë kryesore politike e kanë vënë besimin e tyre në gjykimin e Komisionit të Venecias. Jemi në pritje të opinionit të tij, i cili do të ndihmojë në udhëzimin e Shqipërisë për zbatimin e reformës në drejtësi. Më lejoni ta mbyll duke falenderuar pjesëmarrësit tanë të shumtë që sjellin përvoja antikorrupsioni nga Kroacia, Rumania dhe ekzotiku Detroit i Miçiganit – Gjykatësen Koraljka Bumci, Prokuroren Florentina Mirica, Prokurorin Federal të Shteteve të Bashkuara Mark Chutkow dhe Agjentin Special të FBI-së Robert Beckman. Jemi të përkushtuar që të kemi një diskutim të gjallë dhe të sinqertë gjatë këtyre tri ditëve.