Ambasadori Lu dyshoi për gjykatën. Lirohet Tahiri

Gjykata e Krimeve të Rënda ka lënë të lirë sot ish-ministrin, Saimir Tahiri duke hequr masën “arrest shtëpie” që iu dha 15 ditë më parë. Vendimi është marrë pas apelimit të ish-ministrit.

Avokati i Tahirit, Maks Haxhia deklaroi pas seancës që zgjati 2 orë e 30 minuta se “klienti im është që sot i lirë. Nuk ka asnjë provë kundër tij”.

Gjykata e shkallës së parë vlerësoi provat për “arrest shtëpie”, kurse Apeli sot rrëzoi vendimin duke e lënë të lirë ish-ministrin. Ende nuk janë zbardhur argumentet e gjykatës për këtë vendim, por një hap i tillë e çon ish-ministrin e akuzuar për pjesëmarrje në veprimtari kriminale të trafikut të drogës, drejt lirisë.

Vendimi i sotëm u paralajmërua nga Ambasadori i SHBA, në Tiranë. Një ditë më parë, ambasadori Lu ngriti hije të forta dyshimi për vendimin që do të jepej këtë të hënë. I dërguari i Uashingtonit në Tiranë ka thënë se vendimi i Apelit duhet të bazohet mbi prova dhe jo presione apo ryshfete të ofruara.

“Kemi dëgjuar disa raportime nga burime të pavarura për presione serioze në këtë çështje, përfshirë edhe ryshfete që u janë ofruar gjykatësve. Ne i bëjmë thirrje shoqërisë civile dhe medias që ta vëzhgojnë këtë çështje me vëmendje, në mënyrë që vendimi të bazohet mbi provat dhe ligjin dhe jo mbi presione, kërcënime apo para. Askush nuk është mbi ligjin”, tha Ambasadori Donald Lu një ditë më parë.

Sikur ta dinte ambasadori Lu! Sot u lirua dhe mesa duket Sajmir Tahiri po shkon jo vetëm ndaj lirisë, por edhe pafajsisë.

Pas këtij vendimi ka reaguar edhe Ambasada e SHBA në Tiranë. Për FaxNews, ambasada e SHBA është shprehur se kishte ‘presion per çeshtjen Tahiri’.

Ambasada eshte shprehur se i qëndron deklaratave të dhëna një ditë më parë nga ambasadori Donald Lu.

FOTO GALERI/TAHIRI SOT NË GJYKATË

SHKARKO APP