Ambasadori Lu: Kush nuk voton Reformën do ketë pasoja të rënda
Sot në protestën e shoqërise civile para kryesisë së kuvendit folën pjestarë të shoqërisë civile të cilët kërkuan nga parlamenti miratimin e Reformës në Drejtësi. Por në mitingun e protestës ishte edhe ambasadori amerikan Donald Lu. Ai foli me tone të forta dhe kërcënuese ndaj atyre politikanëve të cilët i kanë thënë “po” zonjës Nuland si përfaqësues e lartë e Departamentit të Shtetit, e cila ka ardhur posaçërisht disa herë në Tiranë vetëm për të bindur palët për miratimin e Reformës dhe pasi ka ikur Nuland e kanë dredhur.
Ambasadori Lu tha se cilido politikan apo deputet që voton kundër reformës në drejtësi do të ketë pasoja të pa imagjinueshme nga SHBA. Ai foli hapur dhe pa asnjë etikë diplomatike kur tha se u kemi dorëzuar politikanëve të caktuar nga një “gjë”, ku nëse nuk e votojnë ditën e enjte do t’iu hapen shumë telashe pas datës 21 korrik.
SHBA- tha Lu, do tju ndalojë hyrjen në Amerikë gjithë atyre që votojnë kundër Reformës ditën e enjte.
FJALA E PLOTË E DONALD LU:
Dje, pas takimit të shkurtër midis Z. Rama, Z. Meta dhe Z. Basha, ekspertët tanë u takuan për 8 orë negociatash deri në orën 2 të mëngjesit.
Por nuk arritën dot një marrëveshje. Pas 18 muajsh negociata, pse nuk arrijmë kurrë një marrëveshje?”
Pse? Për shkak.
Është e qartë se disa nga këta politikanë nuk duan marrëveshje.
Dy javë më parë, dëgjova me zë të fortë nga Basha dhe Bylykbashi se nëse e zgjidhnim paragrafin 88, ata do ta votonin reformën që të nesërmen.
Më 9 korrik e zgjidhëm paragrafin 88. Në fund, Rama u dorëzua dhe u ofroi atyre saktësisht atë që Basha kishte kërkuar, një proces përzgjedhjeje të quajtur 6 plus 6.
Por kjo nuk mjaftonte. Tani, për herë të parë, ata thonë se për shkak të sovranitetit kombëtar, nuk mund të pranojnë që të huajt të bëjnë vlerësimet për kualifikimet e komisionerëve.
Epo kjo është e çuditshme. Më 19 maj Basha na tha ne dhe Ambasadores Vlahutin se të huajt ishin të vetmit persona që mund ta pastronin peshkun nga koka. U tha të njëjtën gjë edhe deputetëve të PE-së, Kukan dhe Fleckenstein. Bylykbashi e përfshiu këtë në mënyrë të qartë në propozimin e tij zyrtar, të shkruar, që na dërgoi. Tani papritur po ndryshojnë qëndrimin e tyre.
Përse? Njerëz të fuqishëm kanë frikë. Qytetarët po kërkojnë ndryshim. Është koha për të vendosur.
Do të ketë pasoja specifike negative nga Shtetet e Bashkuara për ata udhëheqës politikë që do të votojnë kundër kësaj reforme. Unë jam duke u dorëzuar partive politike hollësitë mbi këto pasoja sipas udhëzimeve specifike nga Uashingtoni. Ju siguroj se këto pasoja do të jenë të rënda dhe afatgjata.
Gjatë ditëve të fundit jam takuar me dhjetëra deputetë, nga të gjitha partitë politike. Jam i bindur se këta persona i kanë për zemër interesat më të mira të Shqipërisë. Të gjithë e duan këtë reformë. Pyetja është nëse do të kenë kurajon të votojnë për atë që e dinë se është e gjëja e duhur për Shqipërinë, apo do të votojnë për shkak të frikës nga udhëheqësit e partive të tyre politike.
Shqipëria u themelua më shumë se 100 vite më parë nga burra dhe gra të guximshëm. Burra si Ismail Qemali rrezikuan jetën e tyre për pavarësinë e këtij vendi. Është përsëri koha t’u kërkohet shqiptarëve kurajo dhe besim për të bërë atë që është e drejtë.
Koha për të vendosur është tani. Miratojeni këtë reformë!
Ai tha se reforma është për qytetarët e jo për politikanët të cilët duan ti fshihen asaj nga ndëshkimi.
Fjala e ambasadorit Lu ishte e padëgjuar ndonjëherë nga ndonjë ambasador tash 25 vite në Shqipëri. Kishte presion të hapur, kishte dashuri për shqiptarët, kishte shantazh ndaj klasës politike që nuk voton, kishte gjithçka që nuk e thotë një ambasador në kohë normale. Pra duket se po jetojmë një kohë ndryshimi të madh, epokal në drejtësi.
Pas datës 21 korrik do të ketë sirena arrestimesh. Ndaj ka nevojë që të shtohet orari i punës së Prokurorisë , karburanti për makinat e policisë që do merren me arrestimet VIP.
Duhet shpallur aministi për disa të burgosur për vjedhje dritash që të happen vendet në burgje për të burgosurit VIP të cilët do mbushin qelitë gjatë vjeshtës së këtij viti.