Ambasadori Lu “rrëmben” ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj
Ambasadori i Shteteve të bashkuara të Amerikës, Donald Lu zhvilloi sot një takim me ministrin Fatmir Xhafaj në Ministrinë e Brendshme.
Pavarësisht se nuk dihet tema konkrete e takimit, mendohet se në fokus të bisedimeve janë zhvillimet aktuale dhe lufta ndaj krimit.
Ministri Xhafaj nuk ishte i pranishëm në seancën e sotme parlamentare, ndërsa disa herë kreu i PD-së Lulzim Basha i bëri thirrje të përballej me opozitën në parlament.
Ajo që ka ra në sy, në përfundim të takimit mes ministrit dhe ambasadorit është udhëtimi i tyre në të njëjtin mjet. Ambasadori e ka ftuar ministrin të hipi në makinën me targa diplomatike të ambasadës amerikane.
Siç shihet dhe në foto, ministri i brendshëm dhe diplomati kanë udhëtuar me makinën e blinduar të Ambasadës, një gjest që nuk ndodh shpesh në protokollin e Ambasadës dhe as të Ministrisë së Brendshme për udhëtimin e personaliteve.
Përveç deklaratave, diplomacia funksionon dhe me mesazhe jo verbale. Udhëtimi i sotëm me makinën e blinduar të Ambasadorit të SHBA, duket se është një nga ato mesazhet që diplomacia jep në raste të veçanta. Sigurisht që ministrit Xhafaj nuk i mungonin makinat zyrtare të Ministrisë së Brendshme për të udhëtuar dhe rastësisht Ambasadori u gjend aty ti bënte një “xhiro”.
Ministri Fatmir Xhafaj indohet këto javë në qendër të “cikonit” politik për shkak të akuzave të opozitës për të vëllanë e tij. Por pavarësisht akuzave të rënda të opozitës, fakt është se diplomatët më të rëndësishëm, ambasadori i SHBA, ambasadorja e Gjermanisë dhe ambasadori i Italisë kanë zhvilluar disa takime dhe kanë vijuar aktivitetin normal të bashkëpunimit me Ministrinë e Brendshme dhe personalisht me ministrin Xhafaj.
Ky gjest bëhet edhe më i rëndësishëm nëse u referohemi deklaratave të sotme të opozitës. Ndërsa opozita kërkon largimin urgjent të Xhafës, ambasadori i SHBA e fton në makinën e blinduar të Ambasadës.