Analiza e “Europa e Lirë”: Kush vjen pas Putinit?

Systema ka pyetur 42 ekspertë – shkencëtarë politikë, sociologë dhe gazetarë politikë – prej Rusisë, Shteteve të Bashkuara dhe Evropës se “Kush vjen pas Putinit?” dhe ata kanë përmendur dy skenarë. Njëri prej tyre është që Putin do të emërojë vetë pasardhësin, apo Putin do të largohet prej skenës politike (sëmurët, vdes, dorëhiqet) dhe pasardhësi zgjidhet me konsensus të një grupi elitë.

Atëherë, kush i ka mundësitë më të mëdha në secilin rast?

 

Në skenarin e parë, 19 ekspertë e kanë përmendur kryeministrin aktual rus, Mikhail Mishustin, derisa 18 tjerë e kanë përmendur Sekretarin e Këshillit Shtetëror dhe ish-rojën e Putinit, Aleksei Dymin.

Emra tjerë të përmendur janë edhe ai i kryetarit të Moskës, Sergei Sobyanin, ish-presidentit, Dmitry Medvedev, dhe ai i ministrit të Mbrojtjes, Andrei Belousov. Ky ekspertë kanë thënë se Putin mund të zgjedhë edhe vajzën e tij më të re, Katerina Tikhonova, derisa një tjetër e ka përmendur emrin e vajzës së madhe të Putinit, Maria Vorontsova.

Në skenarin e dytë, në të cilin Putin nuk do të përfshihej në procesin e përzgjedhjes, shumica e respodentëve e kanë përmendur emrin e Mishustinit, derisa Sobyanin ka dalë i dyti.Shtatë respodentë e kanë përmendur edhe këshilltarin e presidentit, njëherësh ish-shefin e Shërbimit Federal të Sigurisë, Nikolai Patrushev.

Pesë të tjerë e kanë përmendur emrin e djalit të Patrushevit, zëvendëskryeministrit, Dmitry Patrushev.

Në total, ekspertët kanë përmendur 34 emra të figurave që mund të ngjiten në pushtet pas Putinit, duke përfshirë 75-vjeçaren, Valentina Matviyenko, aktualisht udhëheqëse e Këshillit Federal, si dhe 37-vjeçaren Tikhonova.

Një ekspert e ka përmendur edhe liderin e Republikës Çeçene, Ramzan Kadyrov, pavarësisht raportimeve të vazhdueshme se ai po përballet me probleme serioze shëndetësore.

Një tjetër ekspert e ka përmendur biznesmenin në ekzil, Mikhail Khodorkovsky, 61-vjeçar, si kandidat potencial pas Putinit.

Khodorkovsky ka qenë figura e vetme opozitare që është përmendur nga respodentët.

Aleksei Navalny, kundërshtari më i zëshëm i Putinit në dekadën e fundit, ka vdekur papritur në shkurt, sa ka qenë në një burg në Arktik, pas tre vjetësh e gjysmë mbrapa grilave.

Shumë ekspertë kanë thënë se parashikimi i pasardhësit të Putinit në pushtet është diçka e pamundshme, sepse gjithçka varet nga situata e krijuar.

“Në rast të ndonjë ndryshimi të papritur, kushdo që e merr pozitën e kryeministrit, ka më së shumti mundësi për të qenë pasardhës”, ka thënë një analist, i cili ka kërkuar të mos i përmendet emri.

“Është e pamundur të dihet tani”, ka shtuar ai, duke përmendur se pak njerëz do të përmendnin emrin e Nikita Khrushchevit si pasardhës të diktatorit sovjetik, Josef Stalin.

Analisti politik rus, Fyodor Krasheninnikov, e ka përmendur kompleksitetin e sistemit qeverisës të Putinit.

“Ne as nuk e dimë se kush realisht e përbën rrethin më të ngushtë të Putinit”.

“Ata e kuptojnë se pasi Rusia ta humbë luftën – sepse askush në mesin e tyre nuk beson më në fitore –  do të jetë pika e nisjes së kësaj lufte për fron”, tha për REL-in, gazetari rus, Roman Anin.

Sergei Sanovich, hulumtues në Institutin Hoover të Universitetit Stanford, ka thënë se beson që një tranzicion në pushtetin e Rusisë mund të mos ndodhë deri më 2036, kur mund të përfundojë mandati i gjashtë presidencial i Putinit.

“Nëse ndodh tani, mendoj që pasardhës do të jetë Patrushevi i ri”, ka vlerësuar ai.

“Mirëpo, nuk mendoj që kjo do të ndodhë më herët sesa viti 2036, kur Dmitry Patrushev do të jetë 60 vjeç. Kjo nënkupton që atëherë mund të fitojë dikush më i ri”./REL/

SHKARKO APP