Ç’po ndodh realisht mes dy ish-miqve, Edi Ramës dhe Koço Kokëdhimës?

Rama dhe Kokëdhima ishin miq, shokë; gjithçka kap fantazia e një miqësie, edhe politike. Ishin aq miq sa të gjithë thonin se “Edi Rama pa u konsultuar me Koçon nuk bënë asnjë veprim a vendim”. Bile shkonin edhe më tej kur thonin se “Kokëdhima ishte si një “Zeus” për Ramën”. Jo të gjitha këto duhen besuar, porse prapë  një e vertetë mbetet se kushdo donte të takonte apo zgjidhte halle me Edi Ramën duhej të takonte me parë Koço Kokëdhimën. Pra një dyshe miqësie që po ngjizej për të kapur krejt lidershipin e PS-së. Kur themi krejt lidershipin e selisë rozë kjo duket se nënkupton që plani mund të ishte ( në kokën e njërit prej dyshes) për të pastruar “klasën e vjetër” të PS-së. E thënë me shkoqur për të palosur Gramoz Ruçin, Arta Daden, Fatmir Xhafën, Bashkim Finon,etj. Ndonëse Kokëdhima shpjegon pas heqjes së mandatit të deputetit nga Kushtetuesja se po punonte për modernizimin e PS-së, e cila është kthyer në parti të atrofizuar. Ai tregon për  median se “mandatin e deputetit ia hoqën PD dhe disa nga PS”. Më hapur nuk ka se si të dalë ish-deputeti, sekretari kryesor në selinë rozë dhe ish-miku i Edi Ramës.

Kokëdhima ka filluar një lëvizje javët e fundit për të reformuar PS-në. Ka një kerkesë të drejtë nga ato çka ai kërkon nëpër fshatra, ku po rend tani, pa pushtet parlamentar. Ai thotë dhe ka të drejtë se kandidatët për deputetë në çdo qark duhet ti përzgjedhë me votë anëtarsia e partisë. Në fakt kështu duhet. Por nëse vazhdoni të bëni matematikën rozë del se ish-deputeti nuk ka për ta realizuar këtë ide, bile ka mundësi që edhe vetë të mos futet në listën e PS-së në Vlorë.

Si të mos ndalojë replikat dhe kundërshtitë me selinë rozë ish-deputeti socialist, Koço Kokëdhima thotë se mbështet pa rezerva protestuesit kundër importit të mbetjeve. Përmes një postimi në faqen e tij në Facebook, Kokëdhima thotë se ligji që po sjellin në Kuvend socialistët refuzohet nga shumica e qytetarëve. Sipas tij deputetët e PS-së janë të detyruar të votojnë pro këtij ligji sepse ashtu mendon udhëheqja, por miratimi i këtij ligji krijon kosto për PS-në thekson ish-deputeti.

Ja se ç’shkruan Kokëdhima: “E kam shpjeguar edhe më përpara se PS nuk i meriton këto kosto. Në grupin e saj parlamentar ka shumë deputet patriotë dhe njerëz të mirë, të ndjeshëm, me integritet dhe seriozë. Këta deputet sigurisht që janë të shtrënguar të qëndrojnë në përputhje me atë, që udhëheqja e konsideron dhe e dikton si vendim politik të grupit parlamentar. Unë mbështes pa rezerva protestuesit. Shqipëria është e rrezikuar nga planet e eko-mafias europiane. Ajo rrezikon të mbytet në plehra edhe pa këtë ligj. Kur partitë politike të reformohen, kandidatët për deputet do t’i zgjedhë antarësia e thjeshtë e bazës së partive me “një anëtar një votë” dhe jo kryetarët e partive siç bëhet sot. Atëhere demostruesit dhe qytetarët e shqipërisë do të ndihen dhe do të jenë të përfaqësuar në këtë Parlament.”, – e mbyll shënimin e tij Kokëdhima.

Por prapë akoma e paqartë se si u prishën në miqësi Rama dhe Kokëdhima? Në Pazar lekësh? Nuk besohet, sepse nuk është pa lekë Koço. Në dëshirën e Kokëdhimës për të hequr Gramoz Ruçin? Kjo edhe ha diskutim, ndonëse ish-deputeti e ka mohuar. Apo ndonjë ambasadë e huaj ia ka kërkuar kryeministrit largimin nga miqesia me Koçon? Mundet! Nisur nga fakti që ambasadori amerikan Lu përmendi edhe emrin e Koço Kokëdhimës si pjesë e politikanëve të korruptuar ka mundësi që pala amerikane ka ndonjë dosje të cilën e ruan në sirtar.

Sapo Hillary Clinton humbi në SHBA dhe fitoi Donald Trump, ish-deputeti është hedhur në një sulm të hapur mediatik kundra kupolës së PS-së. Bile indirekt kundër Edi Ramës, ndonëse kur e pyesin në media thotë se “do ta mbështesë Ramën”.

Pse u prish miqësia e madhe dhe më e gjatë mes dy politikanëve , Rama-Kokëdhima?

Mos ndofta Koço synonte “shishen e qumështit” në radhë nëse Edi Rama humbiste zgjedhjet 2017, pra të ishte i pari si kandidat për kryetar i PS-së? Apo mos dy kandidatët më potencial për kryetar të PS-së, Erion Veliaj dhe Saimir Tahiri u bën bashkë, ndonëse nuk e duan njëri tjetrin, për ta qeruar Koçon nga selia rozë?

Apo Kokëdhima do ketë fatin e Ben Blushit në PS? Pra të ikë dhe të krijojë parti.

SHKARKO APP