Anëtari i KLD që kundërshton Vetingun zgjedh gruan në Gjykatën e Apelit
Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) ka zbuluar të tjera fakte që hedhin dyshime për konflikt të fortë interesi në radhët e drejtësisë. Emërimet e fundit ngjallën debate të ashpra në KLD dhe u kritikuan për shkelje të procedurës dhe konfliktin e interesit. Promovimet më të diskutueshme ishin ato të bashkëshortëve të dy prej anëtarëve të KLD-së, Eneida Civici dhe Gerd Hoxha. Gjyqtari Gerd Hoxha, njëherazi edhe kreu i Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë, shoqatë e cila ka ankimuar ligjin e vetingut, thotë se promovimi i bashkëshortes së tij në Gjykatën e Apelit të Tiranës nuk përbën konflikt interesi, duke nënvizuar se bashkëshortja e tij ishte e zonja profesionalisht dhe e meritonte ngritjen në detyrë.
Më poshtë shkrimi i plotë i BIRN
Emërime si Xhon Kenedi: anëtarët e KLD-së justifikojnë promovimin e familjarëve
Ndërsa ekspertët hedhin dyshime për valën e fundit të emërimeve në gjyqësor, të paktën një prej anëtarëve të KLD-së – bashkëshortja e së cilit u promovua në Gjykatën e Apelit – shprehet se të tilla emërime i kanë bërë dhe presidentët amerikanë.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë zhvilloi 3 mbledhje të njëpasnjëshme në muajin nëntor, gjatë të cilave u emëruan në vendet vakante 33 gjyqtarë. Ndërkohë gjatë gjithë vitit, KLD pati zhvilluar vetëm 1 mbledhje në muaj. Këto emërime ngjallën debate e diskutime në radhët e juristëve edhe për shkak të akuzave për konflikt interesi ndaj dy anëtarëve të tij.
[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=b_DG8jZfZOI” width=”560″ height=”315″]
Tashmë organi kolegjial që ka drejtuar prej më shumë se një dhjetëvjeçari sistemin gjyqësor në Shqipëri ka hyrë në fazën tranzitore, për shkak se Kushtetuta e re, e miratuar në korrik 2016 parashikon shkrirjen e tij dhe zëvendësimin me Këshillin e Lartë Gjyqësor.
Prej 22 nëntorit, vendimmarrja e KLD është kufizuar ndjeshëm dhe qeveria e gjyqësorit nuk mund të kryejë emërime, promovime apo transferime të gjyqtarëve.
Vendimet e emërimeve të fundit ngjallën debate të ashpra në KLD dhe u kritikuan për shkelje të procedurës dhe konfliktin e interesit. Promovimet më të diskutueshme ishin ato të bashkëshortëve të dy prej anëtarëve të KLD-së, Eneida Civici dhe Gerd Hoxha.
I vendosur në qendër të vëmendjes, Gerd Hoxha, njëherazi edhe kreu i Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë argumenton se promovimi i bashkëshortes së tij për në Gjykatën e Apelit të Tiranës nuk përbën konflikt interesi , duke nënvizuar se bashkëshortja e tij ishte e zonja profesionalisht dhe e meritonte ngritjen në detyrë.
“Gjatë gjithë procesit të përzgjedhjes së kandidaturave kam qëndruar tërësisht jashtë këtij procesi, madje jashtë në kuptimin literal të fjalës. Arsyeja e dytë që mendoj se KLD e votoi gruan time ishte se ajo ishte në respekt të gjithë kritereve të përcaktuara nga ligji …kërkesa ime dhe e bashkëshortes sime kanë qenë të depozituara në KLD vite përpara, para se të bëhesha anëtar i KLD dhe nëse ndikimi im do të ishte i tillë, ajo do të kishte marrë maksimumin e votave dhe jo aq sa mori,” i tha Hoxha BIRN.
Sipas tij, fakti që ai dhe Civici janë bashkëshortë, nuk mund ta penalizojë atë apo dikë tjetër që të promovohet e të ngrihet në karrierë, nëse plotëson kushtet. Madje ai bën dhe një paralelizëm me ish Presidentin e SHBA, Xhon Kenedi.
“Mund të sjellim edhe shembullin e Kenedit në SHBA, kur njëri vëlla ishte President dhe tjetri Prokuror i Përgjithshëm,” përfundoi Hoxha.
Jo të gjithë bien dakord me vlerësimin e Hoxhës. Juristi Çlirim Gjata i tha BIRN se ndonëse nuk ka një shkelje të drejtpërdrejtë të ligjit, promovimi i dy bashkëshortëve të KLD nuk mund të quhet kurrsesi normal dhe kjo vjen si pasojë e ngërçeve ligjore.
“Këtu kemi të bëjmë më tepër se me rastin konkret, sepse rasti konkret, ajo ç’ka bën një institucion shqyrtohet në gjykatë. Ajo që ne kemi ngritur me kohë, jo tani, ishte e meta e sistemit te vjetër të Kushtetutës së vitit 1998 në lidhje me KLD-në, që as ligjet përkatëse, pikërisht nuk parashikuan, apo trajtuan në formë ligjore pengesat për konfliktin e interesit,” tha Gjata.
“Çështja e marrëdhënieve familjare. Ju thoni që u emëruan dy gjyqtarë, dy bashkëshortë të anëtarëve të Këshillit..atëherë këta dy anëtarë u larguan nuk votuan…a mjafton kjo për të shmangur konfliktin e interesit?… Besoj që nuk mjafton,” shtoi ai.
Emërimet e fundit në Këshillin e Lartë të Drejtësisë u shoqëruan me debate mes anëtarëve të tij. Sokol Çomo dhe Albana Shtylla kanë braktisur mbledhjet, me pretendimin se emërimet u karakterizuan nga nje sërë problemesh dhe shkeljesh të rënda, ndërkohë që KLD kishte dështuar për vite me radhë të plotësonte vendet vakante në Gjykatën e Apelit të Tiranës. Një qëndrim të ngjashëm ndan edhe Fatmir Xhafa, kryetar i Komisionit të Ligjeve që ka udhëhequr procesin e Reformës në Drejtësi.
“Këshilli i ka bërë rregull vetë-emërimet nepotike, emërimet klienteliste ose më saktë emërimin e vetvetes. Në disa raste të mëparshme, Këshilli ka emëruar anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë duke qenë në detyrë, ç’ka nuk e lejon ligji,” u shpreh Xhafa.
“Edhe kësaj radhe u tentua të bëhej një emërim i tillë… nga ana tjetër u bënë disa emërime, që janë lidhje familjare të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në konflikt të hapur interesi,” shtoi ai.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë është një prej institucioneve më të kritikuara për korporatizëm, konflikt interesi dhe vendimmarrje apatike mbi sistemin shqiptar të drejtësisë.
Mandati i tij përfundon në Prill të vitit të ardhshëm, dhe sipas Xhafës vetëm hyrja e ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve mund ta shpëtojë vendin nga pasojat e vendimeve të ngjashme.
“Kjo është një situatë e rëndë. Nuk na mbetet veç t’i lutemi Zotit edhe këto pak muaj që kanë mbetur, që KLD të bëjë sa më pak dëme në këtë vend,” përfundoi ai.
Dori Daka (BIRN)