FIFA World Cup 2026 11 Qershor - 19 Korrik 2026
00 ditë
00 orë
00 minuta
00 sekonda

Antisemitizmi nuk është protestë, por alarm për demokracinë

Protestat qytetare janë një nga shtyllat më të rëndësishme të demokracisë. Ato lindin nga pakënaqësia, nga ndjenja e padrejtësisë ose nga dëshira për ndryshim. Por çdo protestë mbart edhe një rrezik të madh: depërtimin e elementëve radikalë që tentojnë ta devijojnë kauzën fillestare drejt objektivave të tjera politike, ideologjike apo fetare.

Ngjarjet e ditëve të fundit në Tiranë, ku grupe të caktuara protestuesish kanë përdhosur flamurin e Izraelit pranë ambasadës izraelite dhe ku nga podiumet janë dëgjuar deklarata armiqësore kundër shtetit hebre, meritojnë një reflektim serioz. Kjo nuk është më vetëm çështje proteste. Është një çështje që prek imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe vetë karakterin e lëvizjes protestuese.

Ajo që ndodhi në protestë është e dënueshme. Reagoi ambasada e Izraelit në Tiranë si dhe Komiteti Hebraik Shqiptar.

Swiss Digital Desktop Reklama

Shqipëria ka një histori të rrallë në raport me popullin hebre. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët mbrojtën hebrenjtë e përndjekur nga nazizmi, duke e bërë vendin tonë një shembull unik në Europë. Pikërisht për këtë arsye, çdo akt antisemitizmi bie ndesh jo vetëm me interesat strategjike të vendit, por edhe me traditën tonë kombëtare.

Swiss Digital Mobile Reklama

Natyrisht, kritika ndaj politikave të qeverisë izraelite është legjitime dhe ekziston në shumë vende demokratike. Por kur kritika shndërrohet në urrejtje ndaj një populli, një feje apo ndaj simboleve shtetërore, atëherë kemi hyrë në territorin e ekstremizmit. Dhe ekstremizmi nuk ka lidhje me demokracinë.

Pyetja që lind është: kush përfiton nga kjo klimë?

Në çdo protestë të madhe ka individë dhe grupe që kërkojnë të imponojnë axhendën e tyre. Disa mund të jenë të motivuar ideologjikisht, të tjerë fetarisht, ndërsa të tjerë mund të shfrytëzojnë situatën për të krijuar tensione sociale dhe politike.

Megjithatë, është po aq e vërtetë se historia e rajonit dhe e Europës ka treguar se aktorë të huaj shpesh përpiqen të shfrytëzojnë pakënaqësitë sociale për të nxitur destabilizim politik. Kjo është arsyeja pse institucionet shqiptare duhet të jenë vigjilente dhe të hetojnë çdo element që mund të cenojë sigurinë kombëtare apo harmoninë fetare që ka karakterizuar vendin tonë.

Mbi të gjitha, përgjegjësia bie mbi organizatorët e protestës. Nëse ata duan që protesta të ruajë legjitimitetin dhe mbështetjen qytetare, duhet të distancohen qartë nga çdo gjuhë urrejtjeje, nga çdo shfaqje antisemitizmi dhe nga çdo grup radikal që kërkon ta përdorë protestën për qëllime që nuk kanë lidhje me interesin publik.

Shumica e protestuesve dalin në rrugë për drejtësi, për zhvillim dhe për një Shqipëri më të mirë. Ata nuk duhet të lejojnë që zëri i tyre të mbulohet nga pakica ekstremiste që kërkon përplasje, urrejtje dhe ndarje.

Në fund të fundit, demokracia forcohet nga protestat paqësore, por dobësohet nga radikalizmi. Dhe Shqipëria ka nevojë për më shumë demokraci, jo për më shumë urrejtje.

Në protestën e këtyre ditëve janë grumbulluar njerëz idealistë, progresistë, aventurierë, blogerë, maniakë pas videove, ektremistë, demokratë, mjedisorë, etj. Por mjafton një grupim ekstremistë që ta bëjë pis lëvizjen, ndaj ata, drejtuesit kryesorë duhet të deklarojnë hapur dhe prerë në foltore se nuk lejojmë njerëz ekstremistë apo me pritje radikale që të flasin, bile e mira do të ishte të thuhej se këto grupime nuk na duhen fare në protestë.

Përdhosja e flamurit të Izraelit apo kujto shteti është krim dhe duhet ndëshkuar.

Redaksia e KOHA JONE

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?