Anton Hofreiter: Shqipëria dhe Mali i Zi kanë bërë përparime

Prej dy vitesh, Procesi i Berlinit përfshin bashkëpunimin parlamentar. Kryetari i Komisionit të Bundestagut për Evropën shpjegon për DW-në përse është e rëndësishme përfshirja e opozitës në vendet e Ballkanit Perëndimor.

DW: Z. Hofreiter, 10 vite Procesi i Berlinit – cili është bilanci juaj?

Procesi i Berlinit ka arritur disa gjëra, sidomos përmirësimin e bashkëpunimit. Një nga arritjet është dimensioni parlamentar, që synon të shndërrojë marrëveshjet në ligje të miratuara. Për këtë duhen parlamentet, dhe për këtë arsye, nuk duam vetëm që qeveritë të flasin me njëra-tjetrën, por edhe që parlamentet e të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor të komunikojnë intensivisht mes tyre.

Ju u takuat me parlamentarët e vendeve të Procesit të Berlinit. Për çfarë u diskutua?

Temat kanë qenë shumë të gjera: procesi i zgjerimit, migrimi masiv, veçanërisht largimi i të rinjve, si dhe çështjet e infrastrukturës. Në disa raste është më e lehtë të udhëtosh nga këto vende drejt Vjenës, Mynihut apo Berlinit sesa të udhëtosh nga njeri vend te tjetri. Rindërtimi i rrjetit të mobilitetit, veçanërisht i hekurudhave, ka qenë një temë e madhe. Gjithashtu, u diskutuan çështjet energjetike, sundimi i ligjit dhe problemet mjedisore, si ndotja e ajrit, që mbetet një sfidë e madhe në rajon. Por, ajo që është shumë e rëndësishme, të gjithë e kanë theksuar se duan të bëhen anëtarë të Bashkimit Evropian dhe kërkojnë një proces të drejtë anëtarësimi.

Megjithatë, në disa vende, si Serbi apo Shqipëri, vërehet një tendencë ku opozita po dobësohet dhe partitë në pushtet forcohen. Çfarë bëni ju për ta parandaluar këtë?

Në dimensionin parlamentar, ne gjithmonë i kushtojmë shumë rëndësi përfshirjes së opozitës. Në fund, demokracia përcaktohet edhe nga mënyra se si trajtohet opozita. Qeveri ka në çdo vend të botës, por opozitë ka vetëm në vendet me demokraci të vërtetë. Prandaj, ne i kushtojmë shumë rëndësi përfshirjes së opozitës, e cila gjithmonë ka të drejtën të flasë.

Dhjetë vite Procesi i Berlinit, megjithatë vendet kanë bërë vetëm përparime simbolike drejt BE-së. Cilat janë arsyet?

Në fakt, tani ka përparime reale në procesin e zgjerimit. Për shumë vite, Bashkimi Evropian bënte sikur donte t’i pranonte këto vende, dhe ato bënin sikur po bënin reforma. Kjo ka ndryshuar në mënyrë thelbësore që nga sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës. Tani në Bashkimin Evropian është kuptuar që nevojitet procesi i zgjerimit për arsye gjeopolitike dhe të sigurisë. Dhe në shumë nga këto vende janë bërë reforma të vërteta. Jo në të gjitha, por në shumë prej tyre po ndodhin ndryshime. Për shembull, Mali i Zi po zbaton shumë mirë reformat, dhe gjithashtu Shqipëria ka arritur shumë. Prandaj, tani shohim vërtet përparime, pas shumë vitesh të humbura./DW/

Intervistoi: Anila Shuka

 

SHKARKO APP