Arben Imami: Flirti i vazhdueshëm Basha-Rama po shkatërron PD
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Arben Imami ka hedhur akuza të ashpra në adresë të kreut të PD-së, Lulzim Basha. Në një intervistë për “News 24”, Imami tha se PD-ja sipas sondazheve ka arritur në pikën me kritike në gjithë historinë e saj.
Ai tha se pas humbjes së zgjedhjeve, rënia e PD-së po vazhdon. Sipas tij, Basha si lider ka më pak mbështetje sesa vet partia në opinion, gjë që nuk ka ndodhur me kryetarin e asnjë partie tjetër në Shqipëri.
“Basha, i vetmi kryetar që ka mbështetje më pak se PD në opinion. Sondazhet e fundit, PD 20 përqind, Basha 12 përqind. Ky është skandal për të djathtën. Unë nuk u besoj sondazheve, por edhe ato nuk mund të anashkalohen”,– tha Imami.
Demokrati Arben Imami në një intervistë për emisionin “Kjo Javë” në News 24 ka sqaruar plotësisht të gjitha arsyet pse nuk pranoi të jetë pjesë e grupit të analizës së PD-së, post i propozuar nga kryedemokrati Lulzim Basha.
Më tej Imami theksoi se flirti herë pas here i Bashës me kryeministrin Rama e ka shkatërruar PD-në. Dyshimet se pazari vazhdon sa herë lëvizin euro apo pasuri, e përmbys imazhin e demokratëve te lidershipi i selisë blu.
Ai thotë se do vijojë të jetë demokrat, por nuk është dakord me rrugën që ka zgjedhur kryetari i partisë. Ai tha se nuk ishte dakord me krijimin e një partie të re nga Astrit Patozi dhe të tjerë. “Nuk e shoh si mundësi. Nuk e kam këtë plan të jem pjesë e një projekti të ri. Unë jam themelues i PD”,- tha Arben Imami.
Ish-deputeti tha se ideja e një partie të re e dalë nga PD do të shkatërronte përfundimisht të djathtën. “Një pjesë thonë le të krijojnë parti dhe kështu Basha shpëton se nuk i ka më vërdallë. Të tjerët thonë të bëjnë parti dhe kështu PS-ja rri më gjatë në pushtet”,- tha Imami.
I pyetur nëse Basha duhet të largohet, Imami tha: “Unë mendoj se Basha është i paaftë”.
Sipas Imamit, Partia Demokratike nuk ka bërë ende analizën dhe vijon të humbasë më shumë votues, referuar sondazheve, siç tha ai. Imami shtoi kritikat, kur tha se Basha duhet ta kishte dhënë dorëheqjen që kur humbi zgjedhjet.
Për aq kohë sa nuk respektohet statuti dhe nuk mblidhet një kongres politik, Imami tha se PD-ja nuk po shkon drejt bashkimit, por drejt përçarjes totale.
Intervista e plotë e Arben Imamit
Çfarë ndodhi në mbledhjen e kryesisë me dyer të mbyllura?
Ato që thashë në mbledhje i thashë edhe aty edhe Zoti Basha ato tha. Nuk ka ndonjë gjë të panjohur. Ka një qëndrim të zotit Basha që bie ndesh me disa principe normale të demokracisë. Pavarësisht nga veshjet perëndimore të figurës vendimet e marra prej tij janë krejtësisht levantine, biznatine. Para 6 muajsh u bë një mbledhje kryesie, ai kërkoi të fillojë analiza dhe kërkoi bashkimin e partisë. Edhe ne kërkuam që analiza të bëhet në mënyrë statutore, pra duhet të mblidhet këshilli kombëtar. Kjo nuk u bë, kjo është gjuhë e drunjtë, jo e arsyes. Foli për bashkimin, jo se shpresuam por tjetrit duhet t’i japësh mundësi të bëjë atë që thotë. Kam vënë re se nga kritikët që ka pasur një palë ka paraqitur një platformë, dy palë një statut, e kam lexuar dhe mendoj që është shumë i mirë të paktën të diskutohej për të treguar që janë të gatshëm të bashkëpunojnë. Pas 5 muajsh kryetari mbylli analizën dhe nxori si problem krimin e organizuar, drogën, presionin mbi administratën, kontingjentin kriminal në zgjedhje, këto i dinim dhe janë të vërteta.
U dha përgjigjja pse u humbën zgjedhjet?
Kritikët e Bashës, ne mendojmë që ai bëri një marrëveshje të gabuar, listë të gabuar dhe analizë të gabuar
Pse duhet të mblidhet?
Po se këshilli nuk është mbledhur për 4 vite. Është njësoj si të mos mbledhësh parlamentin për 4 vjet. U propozua të ngrihet një grup pune që merrte mendime e më pas nxirrte konkluzione
Pse nuk u bëre pjesë?
E vetmja mundësi për një bashkim, jo për vulosjen përfundimtare të përçarjes në PD është të mblidhet Këshilli Kombëtar ku të përfshihen edhe kritikët e Zotit Basha, të ngrihet një kongres politik që shkon drejt zgjidhjes dhe pajtimit, jo një kongres i njëanshëm.
Si i përgjigjeni reagimeve brenda PD? Ju propozoni të mblidhet Këshilli?
Unë propozoj të respektohet statuti. Të ngrihet një grup pune serioz që të merret me përgatitjen e statutit të ri. Ne e dimë sa njerëz kanë marrë pjesë në zgjedhjet brenda partisë, ndaj askush nuk mund të ketë besim. Bashkimi mund të bëhet vetëm përmes zbatimit.
A ia paraqitet këto shqetësime? Dhe çfarë përgjigje morët?
Sigurisht që i parashtruam, por përgjigjja ishte ajo që duhet të ecim përpara. Por është me rëndësi që të ecet pozitivisht në këtë drejtim. Nëse Basha ka 1% mundësi që të jetojë si kryetar i një partie, është bashkimi i demokratëve. E vetmja mënyrë për t’u marrë vesh është të ulemi në një tryezë, të bisedojmë, të ngrihet një grup serioz pune.
Pas mbledhjes së Kryesisë thatë se jam brenda PD. Lëvizjet i përmendëm, po ju vetë pse nuk jeni bërë pjesë e ndonjë lëvizje?
Nuk e di se ç’kanë bërë të tjerët. Nuk mendoj të bëj gjë. Unë do të punoj. Kjo nuk do jetë një gjendje e përhershme. Unë e di që ka njerëz brenda PD që mendojnë se kjo parti është duke humbur, duke rrëshqitur, por unë do punoj kundër këtij fataliteti. Nuk mund të mos them atë që mendoj. PD vazhdon në rënie, sot është nën 20%. Flirti i vazhdueshëm Basha-Rama i bën votuesit e vërtetë të PD që nuk duan gjë, që të reagojnë ndryshe. Fakti që këta demokratë nuk kanë votuar në zgjedhjet e brendshme, është protesta më e madhe. Duhet të tregojmë se ne jemi më shumë se kaq, dhe në sajë të bashkimit, mund ta luftojmë forcën tjetër politike.
Mendoni se PD duhet të jetë me Bashën në krye për ta bërë këtë bashkim?
Zgjidhja e vetme për PD ishte që Basha për shkelje të rënda të statutit, të jepte dorëheqjen. Duhet të krijohej një grup për ta çuar partinë së bashku drejt zgjedhjeve të reja. Kjo nuk u pranua. Basha mbi çdo kriter etik, perëndimor, duhet të jepte dorëheqjen. Siç ndodhi në Itali psh, Renzi humbi, dhe dha dorëheqjen. Jam i detyruar të respektoj kushtet në të cilat janë situatat. Në mbledhjen e shtatorit i kam thënë Bashës së legjitimiteti i tij është i dobët, dhe të bëjë përpjekje që atë që ka prishur ta ndreqë. Dhe kjo është edhe një nga arsyer se që nga ajo mbledhje unë kam dalë në media një ose dy herë. Pra i lihet kohë tjetrit që të reflektojë. Nuk flas për kolegët e mi. Jam me të gjithë këta. Ku do bashkohemi ne, përderisa jemi brenda partisë.
Zoti Patozi ju ka ftuar në partinë e tij?
E kam takuar, kam komunikuar.
Pse nuk keni dashur?
Nuk e quaj zgjidhje. Kam pikëpamjet e mia. Jam Arben Imami, jam themelues i kësaj partie. Populli është në shtëpi, nuk e di çfarë ndodh në PD. Bashkimi mund të bëhet në dhe nëpërmjet PD-së. Kemi ide të afërta, shumë të afërta por nuk do të thotë të krijohet patjetër një institucion. Unë nuk jam me askënd, por jam me Arben Imamin në PD. Unë jam aty, do të vijoj të flas.
Po alternativa juaj?
Zoti Basha është kryetar. Unë ju thashë, mbase nuk ishte e kuptueshme për ju. Qartësia është po të dalësh të thuash do krijoj parti kundër Bashës?
Po a jeni me këtë ide?
Po dilni pra këtu, jo, jo, jo. Ju keni qejf e di. Kam qëndrimin tim. Çdo njeri në këtë vend është i lirë. Ju të detyroni të krijosh parti me zor. Nuk e kam këtë plan, dhe nuk do ta bëj. Unë nuk do bashkohem me njeri. Unë kam mendimin që mund ta kem të gabuar. Konsultohem me Jozefinën, me Kullurin, me Harxhin, me deputetë të sotëm, i kam miq. I kam pasur kolegë dhe i kam por kjo nuk më shtyn që duhet ngritur një forcë. Ore doni ta shkatërroni me zor PD-në.
Ju mendoni që PD duhet të udhëhiqet nga një tjetër personalitet?
Unë jam i bindur që ky njeri është i paaftë. Këtë mendim që kam unë, nuk e kanë të gjithë në PD. Dhe unë e pranoj. Nuk i quaj ata që mendojnë ndryshe nga unë se e kanë gabim. Unë jam një ndër ata kritikë të zotit Basha. Ka një platformë, ka një grup. Unë kam qëndrimin tim.
Çfarë mendoni me eksperiencën tuaj politike se do të ndodhë në PD?
Parashikimi i të ardhmes nuk është zanati i politikanëve.
Ju mendoni se Basha nuk duhet të jetë aty, atëherë çfarë pritshmërish keni?
Flitet për mundësi si do shkojnë gjërat. Një nga mundësitë është që PD po vijon në rënie. PD mund të vijojë me rozë. PD mund të vijojë ta mbulojnë skandale, psh si votat ndaj Gramoz Ruçit.
Kam firmosur unë që të largohet pas zgjedhjeve. Kur është për të ndërmarrë një qëndrim e kam bërë. Por kjo nuk më nxjerr jashtë partie, që është kjo që doni, që pëlqen shtypi.
Le t’i kthehemi pak rastit Meçollari, çfarë ka ndodhur në të vërtetë?
E dinë të gjithë që kanë nisur negociatat në mënyrë jo ligjore për të arritur një marrëveshje për kufirin detar, mes negociatorëve ishte edhe ky zotëria. Është larguar për arsye të rëndësishme nga detyra, me motivacion të qartë dhe pas largimit nuk e ndoqi çështjen ligjërisht. Nëse ministri që erdhi para meje do thoshte që mendimi i paraardhësit tim është i gabuar unë mbaj përgjegjësi morale dhe ligjore. Por nëse zotëria shkon në gjykatë dhe gjykata kërkon dokumentet dhe ministria nuk e jep, sigurisht që këtu ka një problem të madh.
A ka lobuar PD në SHBA dhe çfarë qëndrimi mbani mbi gjetjet e revistës “Mother Jones”?
Është një media investigative tërësisht e majtë s’ka asnjë dyshim. E dyta ka informacione të reja por nuk është ky thelbi i çështjes, çështja e investigimit është e lidhur me hetimin që po bëhet nga SHBA lidhur me Rusinë. Atje palët janë të ndara qartë. E majta amerikane thotë se zgjedhjet janë humbur për shkak të ndërhyrjes ruse. Por përtej kësaj ka thënë se ka bërë një investigim. Kanë thënë se janë paguar 500 mijë dollarë për promovimin e PD në një kompani. Atë që nuk dinim është se këtë kompani i drejtonin dy rusë. Por nga kjo nuk dilet në përfundimin që PD-ja ndikohet nga rusët, është e turpshme ta bësh këtë lidhje. Unë i besoj arsyeve që nxori kryetari Basha. Thelbi i çështjes është politik.