Arben Ristani: Protestë paqësore. Do flasim e do ikim në shtëpi!

Opozita ka bërë thirrje që ditën e shtunë, ora 11.00, për të ardhur në protestë para kryeministrisë me qëllim për të larguar Edi Ramën dhe qeverinë e tij. Skenarët deri tani ishin për protestë ku populli do vendoste si do të reagonte dhe sa do të qëndronte në sheshin para kryeministrisë. Pra reagimi do vinte nga populli, i cili do të ishte Zot i vetvetes të shtunën. Ndërkohë sekretari i përgjithshëm i PD, Arben Ristani i ftuar në emisionin “45 Minuta” në Report Tv deklaroi sot se protesta e ditës së shtunë do të jetë paqësore, pavarësisht se është lënë pa orar se kur do të përfundojë, ai theksoi se do të mbyllet brenda ditës. “Protesta do të jetë paqësore. Presim një pjesëmarrje të fuqishme kundër keqqeverisjes. Është lënë pa orar jo se do të zgjasë shumë. Do të mbyllet brenda ditës së shtunë, por do të ketë kohëzgjatjen e saj normale”- theksoi Arben Ristani.

Deputetë të PD-së kanë postuar në facebook se do vijnë me gratë, sikurse disa të tjerë shkruajnë se do marrin edhe fëmijët, tamam sikur po shkojnë në shëtitje. Mezi e presin të shtunën disa deputetë të PD që të bëjnë fotografi mes turmës e me sfond turmën e ku mënjëherë do ta postojnë në facebook me diçiturën: Mes popullit dhe për popullin!

Edhe kryetari i PD-së Lulzim Basha ka përgatitur fjalim emocionues dhe ku në fund e mbyll me fjalët: Shkoni të qetë në shtëpi, o popull! Edi Rama u tremb.

Nëse i lihet populli dhe populli ndjen se po varfërohet, rrënohet e poshtërohet mund ta kalojë pragun e vendosur nga PD. Edhe mund ti nxehet mendja nga hallet dhe të “trokasë” në kryeministri. Por derisa numri dy në PD e ka përcaktuar se të shtunën në darkë protestuesit do të kthehen në shtëpi, kuptohet qartë fryma e protestës.

Më radikale dhe më e vendosur duket Monika Kryemadhi. “Në datën 26 maj shqiptarët do të jenë në Bulevard për t’i thënë Ramës që shqiptarët janë kundër tij, kundër politikës së drogës. Protesta është atje, ne mund të jemi organizatorët, mund të jemi inisiatorët, por ne tashmë jemi peng i qytetarëve dhe do të bëjmë atë çfarë kërkojnë qytetarët në protestë…”, tha Kryemadhi. Pra kryetarja e LSI i mbetet faktit se si do të vendosë populli ditën e shtunë duhet të reagojnë dhe drejtuesit e opozitës.

Zotërinjë drejtues të opozitës!

Duhet te jeni të qartë me popullin dhe vetveten: Do vijnë për të protestuar dhe dëgjuar ju, populli opozitar dhe i pakënaqur me qeverinë, apo do shfryjë zemërimin e tij, siç deklaroni ju përditë se “kemi qeveri droge dhe krimi”?

 

SHKARKO APP