Ardi Veliu: 11 policë të lënduar. Për gazetarin shihni pamjet e mediave

Pas protestës së opozitës është bërë dhe bilanci i parë i asaj që ndodhi sot përballë Kryeministrisë dhe ministrisë së Brendshme. Në Spitalin Ushtarak në kryeqytet janë 11 policë të lënduar gjatë përplasjes me protestuesit, si dhe gazetari i “RD”, Bledi Kasmi. Mjekët raportojnë se gjendja shëndetësore e të lënduarve nuk paraqitet problematike.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ishte sot në ambientet e spitalit ku pa nga afër situatën e efektivëve të lënduar. Veliu falënderoi efektivët e policisë për vetëpërmbajtjen e treguar. Ai deklaroi e forcat e rendit sot kanë bërë detyrën.

“Janë 11 punonjës të lënduar nga gurë apo sende të tjera të forta. Gjendja e tyre është e mirë. Dua të falenderoj jo vetëm policinë që treguan maturi për përballimin e tubimit por edhe FNSH që menaxhuan këtë aktivitet. Mund të them me plot gojën që Policia e Shtetit sot ka bërë detyrën”,- tha Veliu për gazetarët.

Drejtori i Policisë ka komentuar dhe dhunimin që i është bërë kryeredaktorit të gazetës RD, Kasmi. Veliu tha se në spital kishte vizituar dhe gazetarin ndërsa shtoi se nga pamjet filmike qytetarët mund të gjykojnë nëse ka gabuar policia. Gjithashtu, Veliu tha se do të kryhen verifikime për punën e policisë gjatë protestës për çdo rast kur ka pretendime se forcat e rendit kanë shkelur ligjin.

“Isha dhe te qytetari. Unë i uroj shërim të shpejtë qytetarit  dhe këtë le ta gjykojnë pamjet filmike dhe hetimi i mëtejshëm në rast se ka gabuar policia apo ka gabuar qytetari”,- tha Ardi Veliu. Pamjet e transmetuara nga Report Tv (shih videon më poshtë) tregojnë gazetarin Kasmin në përpjekje për të hequr një prej zgarave të hekurit pranë Ministrisë së Brendshme duke u konfliktuar me policinë.

VIDEO REPORT/MOMENTI I GODITJES SË GAZETARIT GJATË PROTESTËS

Partia Demokratike ka reaguar ndaj një video të publikuar nga Report TV, ku pretendohet se kryeredaktori i RD, Bledi Kasmi nuk është goditur nga policia, por nga një gur i protestuesve.

“Kjo është video që disa media e kanë marrë nga Report TV dhe e kanë e interpretuar sikur Bledi Kasmi është qëlluar me gurë nga protestuesit. Ne e ngadalësuam të njëjtën video ku është bazuar mashtrimi dhe ai që quhet gur janë syzet e Bledi Kasmit që i fluturojnë nga koka, pasi ai goditet me shkop gome. PD kërkon përgënjeshtrim nga mediat që pasqyruan këtë mashtrim”,- thuhet në reagimi e PD.

VIDEO E PD PËR PLAGOSJEN E GAZETARIT GJATË PROTESTËS

 

Ndërkohë Partia Demokratike deklaroi se nuk ka policë të plagosur. Në një njoftim nga selia blu raportohet se “deputetët e PD Albana Vokshi, Bardh Spahia dhe Klevis Balliu vizituan policët në spitalin ushtarak. Fatmirësisht ata nuk kane asnjë plagë”.

Në spital ditën e sotme ishte dhe Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ai vizitoi kryeredaktori i gazetës RD, Bledi Kasmi, por nuk përmendi në asnjë rast policët e lënduar. Ai tha se dhuna ndaj Kasmit është një tregues më shumë se përse Fatmir Xhafaj nuk mund të jetë ministër i Brendshëm. “Dhuna është treguesi më i mirë se policia është në shërbim të familjeve mafioze Xhafaj e Rama. Bledi Kasmi ka dhjetë qepje në kokë sepse po bënte punën e tij si gazetar i RD, ndërkohë Agron Xhafaj u përcoll me fshehtësi për të shpëtuar lëkurën e Fatmir Xhafajt, që së bashku janë pjesëtarë të një familje, subjekt i ligjit antimafia. Kjo është arsyeja se përse Xhafaj nuk mund të qëndrojë në krye të Ministrisë së Brendshme, pasi çdo moment ai mund të përbëjë rrezik për qytetarët dhe vendin”,- tha Lulzim Basha.

LAJME TË TJERA NGA PROTESTA E OPOZITËS

SHKARKO APP