Arratisja e Altin Ndocit nga spitali i burgut rrit alarmin e sigurisë në Durrës

Arratisja e Altin Ndoci nga spitali i burgut ka rikthyer ndjeshëm pasigurinë në qytetin e Durrësit, pasi një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dyshuar për përfshirje në krime të rënda dhe veprimtari të organizuar kriminale, rezulton aktualisht në liri.

Ndoci konsiderohet prej vitesh një emër i njohur në dosjet e organeve ligjzbatuese, për shkak të përfshirjes së tij në grabitje me dhunë, trafik narkotikësh dhe vrasje me pagesë. Ai ka qenë i përfshirë në konflikte të grupeve kriminale në Durrës, Tiranë dhe Elbasan, duke u përshkruar si pjesë e strukturave që vepronin me pagesë në disa qytete të vendit.

I përshkruar nga SPAK si element aktiv i krimit të organizuar

Swiss Digital Desktop Reklama

Hetimet e SPAK e përshkruajnë Altin Ndocin si një element aktiv në skenën e krimit të organizuar. Dëshmitë e bashkëpunëtorit të drejtësisë Nuredin Dumani e pozicionojnë atë në rrethin e ngushtë të njerëzve të Talo Çela, një tjetër personazh i njohur i botës së krimit, i zhdukur prej vitesh.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Pas konfliktit që pata me Talo Çelën dhe Altin Ndocin, doja të vriteshin ata, por jo nga dora jonë. Kjo më interesonte, pasi Altin Ndoci tentoi të vriste vëllanë tim, por iu bllokua arma”, ka deklaruar Dumani gjatë dëshmisë së tij.

Nga grabitjet e dhunshme te akuzat për vrasje

Problemet e para serioze me ligjin për Altin Ndocin datojnë në vitin 2015, kur ai u identifikua si autor i një serie grabitjesh automjetesh në Tiranë, në bashkëpunim me Sazan Cibukun. Vjedhjet, sipas Policisë, kryheshin shpesh me dhunë, duke kthyer dyshen në një kërcënim të vazhdueshëm për pronarët e mjeteve.

Ndoci rezulton gjithashtu i dënuar për trafik të lëndëve narkotike. Pas daljes nga burgu, ai u rishfaq në skenën kriminale, këtë herë i lidhur me bandën e Talo Çelës.

Edhe Fitim Dumani, vëllai i Nuredin Dumanit, e ka përshkruar Altin Ndocin si “ushtar të Talos”, duke deklaruar se prishja e marrëdhënieve mes Dumanit dhe Çelës lidhej me një borxh prej 10 mijë eurosh që Altin Ndoci i kishte Talos.

Akuzat për katër vrasje

Sipas SPAK, Altin Ndoci akuzohet për përfshirje në vrasjen e katër personave. Ai dyshohet si ekzekutor në vrasjen e Anxhelo Avdisë dhe Dorian Shkozës, si dhe për ekzekutimin e dy vëllezërve Viktor dhe Besmir Haxhia.

Për vrasjen e vëllezërve Haxhia, Policia është mbështetur në dëshminë e shtetasit Klevis Alla, megjithatë Altin Ndoci nuk e ka pranuar asnjëherë pjesëmarrjen e tij në këtë krim.

Seria e grabitjeve sipas Policisë

Sipas dokumenteve policore, Altin Ndoci dyshohet si autor ose bashkautor i një serie grabitjesh automjetesh në Tiranë gjatë viteve 2014–2015, kryesisht në zonat “3 Dëshmorët”, Yzberisht, “Rexhep Shalla” dhe “Teodor Keko”, ku janë vjedhur ose tentuar të vidhen mjete të tipit “Mercedes Benz” dhe “Volkswagen Golf”.

Alarm për sigurinë publike

Arratisja e një personi me këtë profil kriminal nga një strukturë shtetërore e sigurisë së lartë ngre pikëpyetje serioze mbi standardet e ruajtjes dhe përgjegjësitë institucionale. Për qytetarët e Durrësit dhe më gjerë, prania në liri e një personi të dyshuar për vrasje dhe krim të organizuar përbën një rrezik real dhe kërkon reagim të menjëhershëm nga organet ligjzbatuese.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?