Arrestime për “Babalen”. Imituesi në qeli. Reagojnë Basha dhe Rama
Audio-përgjimi i Agron Xhafaj, vëllait të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, sipas prokurorisë ka qenë një manipulim i pastër.
Albert Veliu i njohur me nofkën “Babalja” ishte personi që bëri audio-përgjimin së bashku me gazetarin Jetmir Olldashi. Audio-përgjimi që pretendonte se kishte të dhëna për aktivitetin e jashtëligjshëm të vëllait të ministri u publikua nga Partia Demokratike dhe deputeti Edvin Saljani në muajin maj të këtij viti.
Ditën e sotme nga burime të prokurorisë ka dalë një emër i ri në historinë që ndodhi disa muaj më parë. Fredi Alizoti, kunati i Albert Veliut, sipas prokurorisë dyshohet të jetë personi që ka imituar zërin e vëllait të ministrit të Brendshëm, gjatë bisedës që pretendohej se ishte zhvilluar në një lokal në Vlorë. Detajet janë publikuar sot nga Prokuroria e cila ka kërkuar dhe procedime penale për personat e përfshirë në këtë histori. Konkretisht mbi Albert Veliun, i cili u cilësua dëshmitari “X” apo “Babalja” rëndon akuza e kallëzimit të rremë. Veliu akuzohet dhe për kalim të paligjshëm të kufirit, pasi pas publikimit të audio-përgjimit u largua nga Shqipëria drejt Kosovës.
Akuza e kallzimit të rremë rëndon dhe mbi kunatin e Fredi Alizotit, njeriu që dyshohet se dubloi zërin e Agron Xhafajt në përgjimin e sajuar, sipas prokurorisë. Gjithashtu prokuroria ka dhënë masën detyrim paraqitje për gazetarin Olldashi, që intervistoi “Babalen”. Edhe ndaj gazetarit mësohet se rëndon akuza për kallëzim të rremë. Prokuroria mori në pyetje një ditë më parë edhe deputetin e PD, Edvin Salijanji.
Materiali i përgjimit u dërgua nga institicionet shqiptare për ekspertizë në një laborator të huaj. Ekspertiza arriti në përfundimin se ishte e pamundur të identifikoheshin personat që ndodheshin në regjistrim, por konfirmoi se materiali origjinal ishte montuar dhe kishte pësuar modifikime të shumta. Në muajin maj Partia Demokratike dhe deputeti Salijanji paraqitën para mediave si skandal përgjimin dhe dëshminë e Albert Veliut. Sipas Veliut vëllai i ministrit kryente aktivitet kriminal në qytetin e Vlorë dhe prova ishte përgjimi i Veliut me Agron Xhafaj. Hetimet e prokurorisë dhe ekspertiza e materialit kanë nxjerrë një tjetër variant të historisë duke e kthyer Albert Veliun dhe PD nga akuzues në të akuzuar.
Zëri i Agron Xhafës është imituar, Basha: Kush priste diçka tjetër, është naiv
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka bërë me dije se personi që interpretonte zërin e vëllait të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, Agron Xhafaj është Fredi Alizoti për të cilin ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg”.
Ndërkaq, ka reaguar menjëherë kreu i PD Lulzim Basha i cili thotë se kush priste diçka tjetër nga prokuroria ‘Rama-Marku-Xhafa- Prela është vetëm naiv’.
“Kush priste diçka tjetër nga prokuroria Rama-Marku-Xhafa- Prela është vetëm naiv. Agron Xhafaj që i fshihej prej 5 vitesh drejtësisë me ndihmën e vëllait, u largua me urgjencë drejt Italisë, që të mos përballej me hetimin dhe akuzat që prokuroria e kapur i quan sot montim”, shkruan Basha në reagimin e tij.
Prokuroria gjithashtu ka kërkuar detyrim paraqitje për gazetarin Jetmir Olldashin që intervistoi të ashtuquajturin dëshmitari X i akuzuar gjithashtu për kallëzim të rremë. Albert Veliu, denoncoi publikisht në një intervistë për gazetarin Jetmir Olldashi dhe e publikuar nga Partia Demokratike se Agron Xhafaj, vëllai i Fatmir Xhafajt ishte i përfshirë në trafik droge.
Rama: Arrestimi i aktorëve të “Babale 1”, fillimi i drejtësisë
Kryeministri Edi Rama reagoi sot për urdhër arrestet e Prokurorisë ndaj personave që janë përfshirë të ashtuquajturin përgjimin e vëllait të ministrit Xhafaj.
“Uroj që arrestimi i aktorëve të Babale 1 të jetë fillimi,jo fundi i drejtësisë mbi një maskaradë të orkestruar për të llahtarisur dynjanë e rrëzuar qeverinë!Pas mjeranëve të paguar për t’u përgjuar,qëndrojnë autorë e pagatorë të këtij krimi që duhet të paguajnë deri në fund”,- deklaroi kryeministri në një reagim në Twitter.
“Qetësohu Lulzim, mos bëj nevrikun kot”
Pas deklaratës së kreut të PD, ka reaguar sërish kryeministri Edi Rama duke paralajmruar zhvillime të reja për çështje të tjera. “Qetësohu Lulëzim!Mos bëj nevrikun kot xhan se s’ta ka fajin askush që e bëre Shqupin Kinostudio. Tani fli deri pasnesër kur të kem ca të reja për ty e për tërë lehaqeniet e klubeve politike e mediatike, që siç dhunuan 10 ditë rresht një vajzë dhunojnë përditë publikun shqiptar”- shprehet kryeministri Edi Rama në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Twiter”.