Arrestime vetëm në PD dhe LSI. Po PS-ja është e “virgjër” në korrupsion?!
Me zgjedhjen e Arta Makut në Prokurorinë e Përgjithshme pritej që hetimet ndaj zyrtarëve të lartë të shtetit të merrnin një hov të ri. Partia Socialiste tha se tashmë Prokuroria e Përgjithshme “do t’i tundi mirë të korruptuarit”. Ndërsa Ambasada e SHBA deklaroi pak pas votimit, vetëm me votat e PS të Arta Markut dhe shkarkimit të Adriatik Llallës, se “tashmë iku kryeprokurori që nuk hetonte zyrtarët e lartë”. Këto dy muaj, në fakt, ka pasur hetime dhe Arta Marku nuk ka zhgënjyer në hapjen e dosjeve. Problemi është se lista e personave të thirrur në prokurori ka vetëm emra që janë nga një kamp politik. Konkretisht nga opozita PD dhe LSI. Bile në veçanti nga LSI.
Të parët që u arrestuan dhe pse ishin prej kohësh në hetim dhe realisht nuk kishte rrezik që të largoheshin nga vendi, janë dy ish-drejtorë të rrugëve. Andi Toma i PD dhe Dashamir Xhika i LSI. Nuk themi që nuk mund të jenë fajtor, pasi do jetë gjykata që do vendosë, por si ka mundësi që arrestohen në mesnatë drejtorë dhe teknikë të PD dhe LSI dhe lihen të lirë ish-drejtorë dhe nëndrejtorë politikë të PS, që ligjërisht mund të kenë po aq përgjegjësi sa dy personat që janë pas hekurave.
A ka urdhër nga kryeministri që të mos preken kush është i PS?!
Këto muaj derën e prokurorisë e kanë parë të paktën tre ish-ministra të PD dhe LSI. Konkretisht në prokurori është thirrur ish-ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto, ish-ministri Sokol Dervishi. Vetëm sot në Prokuroi u thirr ish-nëndrejtori i rrugëve, por edhe koha e shkurtër që u mor në pyetje tregoi se kishte ardhur vetëm për të bërë prezantimin, sa për një xhiro ish-bllok-rruga e burgut. Me sa duket PS-ja nuk ka asnjë zyrtarë apo ministër të korruptuar në këto pesë vjet qeverisje!
Lista e çështjeve vazhdon edhe më tej. Për çështjen CEZ prokuroria ka lëvizur, por vetëm drejt një kampi politik. Për dëshmi është thirrur vetëm ish-ministri Genc Ruli, si dhe Shkëlzen Berisha djali i ish-kryeministrit Sali Berisha. Kur dihet se kjo dosje ka brenda saj edhe probleme të tjera që përfshijnë emra të rëndësishëm të kabinetit “Rama”, edhe sot.
Sigurisht për këto thirrje në prokurori ka argumente ligjorë dhe Prokuroria ka bërë mirë që po heton. Çështja është se në gjithë këtë listë emrash mungojnë përfaqësuesit e kampit tjetër, pra nga mazhoranca. Asnjë ministër, ish-ministër, drejtor apo dhe zyrtar periferik i Partisë Socialiste nuk është thirrur këto dy muaj në prokurori. Asnjë hetim i ri dhe asnjë dosje e vjetër nuk ka brenda saj, (të paktën deri tani) një emër të kupolës së qeverisë apo njerëzve afër saj.
Kaq të drejtë e ligjor qenkan të PS-së?!
Ndaj natyrshëm linin një sërë pyetjesh që i bën çdo qytetar që ndjek zhvillimet dhe “betejën” e PS-së kundër korrupsionit. Kaq të pastër janë ministrat e PS? Si ka mundësi që në 5 vite koncesione dhe abuzime të bëra publike, prokuroria nuk sheh asnjë shkelje ligjore?
Një pjesë thonë se është Saimir Tahiri që po hetohet, por harrojnë se procesi ndaj tij nuk nisi vetëm kur skandalin e plasën në Tiranë autoritetet italiane. Erdhi nga Italia “bomba” ndaj Tahirit. Prokuroria shqiptare kishte katër vite që e dinte për Habilajt, por ua kishte lehtësuar punën duke pushuar hetimet. Këto dy muaj, pas ndryshimeve në prokurori, rezultatet e para janë vetëm sulme ndaj njerës palë politike, pra ndaj opozitës. Sigurisht që të dy kampet politike kanë të korruptuar brenda tyre, por nëse hetimet janë vetëm në një krah, ekziston rreziku që nga një prokurori që nuk hetonte të kemi një prokurori politike. Një zhvillim i tillë sado që po tentohet të serviret si pjesë e reformës në drejtësi është i rrezikshëm.
Arrestoni nga të dyja palët. Atëhere mund të thuhet se ka drejtësi.