Arrestimet në Uzinën ushtarake, Peleshi: Ka arsye të dyshojmë për spiunazh
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi tha sot se për ngjarjen e mbrëmshme në ish Uzinën e armëve në Gramsh ku u arrestuan dy shtetas rusë dhe një ukrainas, ka arsye për të dyshuar për spiunazh. “Kemi shumë të drejtë të dyshojmë se cdo shtetes i huaj që futet në një zonë ushtarake dhe për më tepër kapet duke fotografuar”, deklaroi ai për gazetarët. “E vendosur edhe në kontekstin e gjërë rajonal edhe në kontekstin politik duhet vlerësuar dhe nuk mund të kalojë si një incident i zakonshëm, por ne nuk mund të nxitohemi të nxjerrim konkluzione, por gjithsesi fakti që është reaguar dhunshëm nga këta shtetas të huaj na bën të jemi më të vëmendshëm për ta hetuar deri në fund”, theksoi ministri, duke saktësuar se megjithatë gjithçka do të zbardhet nga hetimet.
Mbrëmjen e djeshme, ka qenë 24 vjeçari rus Mikhail Zorin, i cili ka hyrë në mjediset e uzinës duke tentuar të bëjë fotografi. Pasi është pikasur nga rojet e uzinës, ai ka tentuar të largohet. Në momentin që është ndaluar nga ushtarakët ai ka përdorur një spray paralizues ndaj tyre, por është kapur më pas nga policia, e cila pak më vonë ka ndaluar dhe automjetin me të cilin Zorin udhëtonte së bashku me një tjetër shtetase ruse Svetlana Timofoeva, 33 vjeç dhe një shtetas ukrainas.
Sipas dëshmive të banorëve të zonës, automjeti, kishte të patën dy ditë që lëvizte në zonë, duke tërhequr vëmendjen edhe për shkak se bëhej fjalë për një makinë sportive, prodhim i viteve të fundit dhe me ngjyra të ndezura. Mësohet se të tre të huajt kanë mbi dy javë që kanë hyrë në Shqipëri. Njëri prej tyre, së bashku me automjetin ka hyrë nga Porti i Durrësit, ndërsa dy të tjerët nga aeroporti i Rinasit. Ndërsa janë marrë në pyetje, ata kanë deklaruar se kanë ardhur për turizëm. Rusja Timofoeva, është shprehur se është blogere, ndërsa i riu ukrainas, ka postuar dhe foto nga Uzina me nënshkrimin “Fabrikë sekrete ushtarake, diku mes maleve në Shqipëri”.
Për ngjarjen sot ka reaguar dhe presidenti Bajram Begaj, duke shpjeguar se po e ndjek atë me vëmendje. “Jam në komunikim të vazhdueshëm me strukturat e sigurisë, Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, strukturat e shërbimeve informative dhe ato ligjzbatuese, të cilat i inkurajoj dhe mbështes për të vazhduar punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe parandalimin e çdo situate që cënon sigurinë kombëtare”, shkroi ai në një postim në rrjetet sociale.
Ambasadorja amerikane Yuri Kim gjithashtu bëri të ditur se kishte komunikuar me ministrin Peleshi dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë shqiptare Arben Kingji, për t’i uruar shërim të shpejtë dy ushtarakëve të lënduar mbrëmë. Në një postim në Twitter ambasadorja amerikane nënvizoi se “në qëndrojmë krah aleatit tonë, ndërsa autoritetet hetojnë në mënyrë të plotë për të nxjerrë në dritë faktet dhe për të kërkuar llogari nga ata që janë përgjegjës.
Në hetimin e ngjarjes janë përfshirë disa institucione, që nga prokuroria, antiterrori e deri te shërbimet inteligjente./VOA/