Arrestimet/ISIS planifikonte akte terroriste në ndeshjen Shqipëri-Izrael
Paralajmërimet e shërbimeve sekrete për sulme të mundshme terroriste kanë zhvendosur ndeshjen mes Shqipërisë dhe Izraelit nga Shkodra për në Elbasan.
Kjo raportohet nga e përditshmja izraelite “Haaretz”, e cila i referohet edhe raportimeve të mediave shqiptare për arrestimet e kryera së fundi në Shkodër, të të dyshuarve për lidhje me organizatat terroriste.
“Zyrtarët e sigurisë në Izrael kanë nxjerre udhëzime strikte për ekipin. Futbollistët nuk do të kenë kohë të lirë, ndërkohë që në Shqipëri do të kenë tre herë më shumë roje sigurise nga sa kanë zakonisht”, shkruan “Haaretz” duke iu referuar burimeve pranë ekipit kombëtar.
Një tjetër media si “Jerusalem Post” shkruan se katër persona të lidhur me ISIS u ndaluan nga autoritetet shqiptare, pas një informacioni nga Mossad (shërbimi sekret izraelit), se ata po planifikonin sulm terrorist gjatë ndeshjes Shqipëri-Izrael.
Më tej “Jerusalem Post” shkruan se ekimi i Izraelit po vjen në Shqipëri me një ekip shtesë sigurie prej 15 vetësh.
Arrestimi i tyre mësohet se është bërë gjatë takimit që ata po zhvillonin me dy nga të arrestuarit nga Shqipëria. Burimet dyshojnë se shkaku i ardhjes së tyre në Shqipëri, ka qenë bashkëpunimi për të kordinuar veprimet e mëtejshme, që dyshohet se ata po pregatisnin për të sulmuar me eksploziv stadiumin “Loro Boriçi” gjatë ndeshjes Shqipëri-Izrael. Në të njejtën kohë, mësohet se edhe policia e Kosovës ka ndërhyrë në disa lokalitete në Prishtinë, Mitrovicë, Gjilan ku ka të arrestuar 9 persona. Burimet thonë se dy nga këta të arrestuar në Kosovë, kanë pranuar të bashkpëunojnë duke treguar edhe planet dhe kontaktet me personat e tjerë për dyshimet e një sulmi terrorist.