Arrestohet vrasësi i 8 personave në Vlorë

Arrestohet vrasësi i 8 personave. I baltosur, me fytyrën e gjakosur, ra në prangat e policisë, 24-vjeçari që ditën e djeshme në fshatin Resulaj të Selenicës në Vlorë, vrau me kallashnikov 8 persona nga fisi i tij, mes të cilëve dy fëmijë, numri më i madh i personave të vrarë në Shqipëri nga dora e një njeriu.
Ridvan Zykaj u arrestua në një zonë periferike në dalje të fshatit të Selenicës. Duke qenë bari, i riu ishte njohës i mirë i zonës, dhe nata ishte terren në favor të tij dhe jo policisë. Në aksionin për kapjen e tij u vunë edhe qenë gjurmues, forca të policisë së Vlorës, RENEA-s, FNSH-së dhe Delta Forcës, derisa këtë mëngjes u bë e mundur kapja e autorit të krimit të 8-fishtë. Policia shpërndau një foto nga momenti i arrestimit të të riut, ku shihen përpjekjet e tij që ka bërë për tu arratisur në terrenin malor, pasi ka marrë edhe një dëmtim të lehtë pranë syrit.

Operacioni u drejtua nga vetë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ndërsa mbrëmë në fshat mbërriti edhe ministri i Punëve të Brendshme, Fatmir Xhafaj.

Ridvan Zykaj vrau gjakftohtësisht pjesëtarët e dy familjeve me mbiemrin Zykaj.

24 vjeçari fillimisht ka qëlluar mbi vëllain e gjyshit të tij, Demir Zykën. Demir Zykaj së bashku me gruan e tij Ferie Zyka kanë qenë të parët që janë ekzekutuar. Demir Zyka ishte 75 vjeç ndërsa gruaja Ferie Zyka, 72 vjeçare. Në shtëpinë e Demir Zykës qëndronte dhe djali i tij së bashku me gruan, Azem e Afërdita Zykaj.

Të katër personat janë vrarë në një shtëpi.

Më tutje 24 vjeçari Ridvan Zykaj ka shkuar në shtëpinë e djalit tjetër të Demir Zykajt, shtetasit Besim Zykaj. Në shtëpinë e 42 vjeçarit ndodhej e gjithë familja, gruaja e Besimit, Vasilika Zyka, një vajzë e mitur me emrin Sara Zyka, 17 vjeçe si dhe fëmijën 9 vjeçar Ledjon Zykaj.

Ndërkohë vetë prindërit e 24 vjeçarit janë shoqëruar nga policia dhe janë marrë në pyetje.

Njoftimi i policisë për arrestimin e Zykajt

Si rezultat i punës së mirëorganizuar, krehjes së territorit, kontrolleve të shumta dhe pa ndërprerje gjatë gjithë natës edhe me anë të qenit gjurmes, të përdorur nga ana e strukturave Policore të DVP Vlorë, Renea, Fnsh dhe Delta Forcë, u bë e mundur kapja e autorit të krimit Ridvan Zykaj në një zonë periferike në dalje të Selenicës.

Gjithashtu u sekuestrua edhe arma e krimit, një kallashnikov.

Autori është shoqëruar në DVP Vlorë, për veprimet e mëtejshme.

Materialet hetimore do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprën penale ”Vrasje në rrethana cilësuese, ndaj dy ose më shumë personave”, parshikuar nga neni 79/dh i Kodit Penal.

SHKARKO APP