Artistët letër Presidentit Ilir Meta: Të premten bllokojmë Teatrin Kombëtar
Artistët do shkojnë drejt hapit final. Një përfaqësi e komunitetit të artistëve të Teatrit Kombëtar, deklaruan në Komisionin e Medias, se i kanë dërguar një letër Presidentit Ilir Meta, dhe kryetarit të Kuvendit duke kërkuar që të anulohet vendimi për prishjen e godinës.
Artistët paralajmërojnë se nëse deri ditën e premte nuk do të ketë një reagim mbi këto kërkesa, atëherë ata legjitimohen të uzurpojnë Teatrin Kombëtar dhe Teatrin Eksperimental si të vetmen formë proteste që zëri i tyre të dëgjohet.
”I kemi përgatitur një letër drejtuar Presidentit, kryetarit të Kuvendit dhe institucioneve të tjera. Shprehim indinjatën për projektligjin e Ministrisë së Kulturës për të shkatërruar goditën e Teatrit. Projektligji është propozuar pa marrë në konsideratë opinionin tonë. Prezantohet në formën e një kontrate të mbyllur. Parlamenti zhvendoset nga detyra për të hartuar projektligje, kthehet në noter. Vendimi mund të krijojë një kolaps në vend. Nëse deri të premten nuk do të kemi reagim, atëherë do të uzurpojmë godinën e Teatrit Kombëtar, si e vetmja formë që zëri jonë të dëgjohet”.
Artistët kërkojnë që Kuvendi të mos pranojë ligjin në Parlament në mënyrë që Ministria e Kulturës dhe Institucionet e tjera përgjegjëse të nisin punën për gjetjen e një zgjidhje të qëndrueshme në interes të të gjithë grupeve të interesit dhe të interesit publik në tërësi. Me sa duket do të radikalizohet çështja për Godinën e Teatrit Kombëtar çka do të çojë në përplasje fizike.