Audio-përgjimi. Pse deputetët e PD-së nuk shkuan në Prokurori?

Deputetët e PD, Ervin Salianji, Enkelejd Alibeaj dhe ish-ministri i Drejtësisë, Gazment Bardhi në orën 10:30 të ditës së sotme duhet të ishin në Prokurori. Tre zyrtarët e selisë blu duhet të jepnin dëshminë e tyre lidhur me vërtetësinë e audio-përgjimit që publikuan për vëllanë e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Por në orën 10:00 selia blu njoftoi se deputetët dhe ish-ministri nuk do të paraqiteshin në Prokurori.

Një vendim i tillë i PD shton edhe më shumë pikëpyetjet lidhur me vërtetësinë e audio përgjimit. Kryeministri Edi Rama dhe ministri Fatmir Xhafaj thanë dje se materialin e PD-së e kanë analizuar në një laborator jashtë vendit. Sipas tyre, analiza laboratorike tregon se kemi të bëjmë me një manipulim flagrant. Edhe vëllai i ministrit, Agron Xhafaj pretendon se zëri i tij është manipuluar. Ai ka bërë padi në Prokurori ku pretendon se në audion e PD nuk ka asnjë të vërtetë.

Janë tre deklarata dhe një analizë laboratorike që rrëzojnë akuzat e PD, sipas të cilëve në audio rezulton se vëllai i ministrit vijon të merret me drogë. Përballë qëndrimit të PS dhe vëllait të Xhafajt sot duheshin provat e PD se kemi të bëjmë me një përgjim real. Zyrtarët demokratë që paraqitën përgjimin kanë mundësinë që të rrëzojnë jo vetëm pretendimet e mazhorancës, por me këtë rast edhe gjithë kauzën e qeverisë.

Fakti që ata zgjedhin të mos shkojnë në Prokurori indirekt i jep të drejtë Ramës dhe Xhafës për të aluduar për qëllime të tjera që fshihen pas sulmit ndaj Ministrit të Brendshëm. PD është në të drejtën e saj të akuzojë, por jo pa prova. Një akuzë pa prova nuk është denoncim, por mashtrim publik. Gjithë stuhia e reagimeve dhe akuzave ndaj Xhafës ka rastin të verifikohet në institucionet e drejtësisë. Nëse demokratët janë të bindur se përgjimi është real, i vetmi vend ku mund të certifikohet është gjykata dhe prokuroria. Në të kundërt, kemi të bëjmë me një manipulim, siç thotë edhe kryeministri, dhe kjo është një çështje që rrëzon jo vetëm akuzat e PD, por gjithë aksionin politik të saj.

Zyrtarët e PD thonë se do të shkojnë në Prokurori në një kohë tjetër. Por më shumë se arsye, ky është justifikim dhe frikë nga përballja me faktet. PD duhet të jetë më e interesuar sesa kryeministri për të zbardhur të vërtetën. Nëse përgjimi është real, PD ka rastin jo thjesht të sulmoj ministrin Xhafaj, por edhe të rrëzojë qeverinë.

Mos paraqitja e deputetëve të PD para drejtësisë i jep të drejtë Fatmir Xhafajt dhe Edi Ramës që thonë se kemi të bëjmë me manipulim. PD duhet të ndajë këto ditë nëse do jetë parti serioze politike, apo një subjekt që prodhon kaseta të manipuluara dhe mashtron opinionin.

Ky debat nuk zgjidhet me deklaratat të Lulzim Bashës që thotë se “qeveria do të na fus në burg”, por me përballje me drejtësinë. Qeveria e ka bërë sfidën e saj dhe deklaron se opinioni publik është mashtruar nga PD. Tani është radha e Bashës të japë provat e kundërta.

Nëse Basha beson në videon që i kanë dhënë le të dalë dhe të kërkojnë futjen në burg të përgjegjësve dhe rrëzimin e qeverisë. Nëse del se video është falsifikim dhe është montuar nga PD apo të tjerë, atëherë Basha le të lërë të shkojnë drejt burg ata që e mashtruan për videon.

SHKARKO APP