Deputetët e PD dhe gazetari thirren në Prokurorinë e Krimeve të Rënda
Më në fund deputetët e PD-së shkojnë në Prokurori. Pasi refuzuan të shkonin javën e kaluar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, dy deputetët e PD-së, Enkelejd Alibeaj, Ervin Salianji së bashku me këshilltarin ligjor të PD dhe ish-ministrin, Gazmend Bardhi u paraqiten sot për të dhënë dëshminë në lidhje me audio-përgjimin që përfshin vëllain e ministrit të Brendshëm.
Në prokurori dëshmon sot edhe gazetari Jetmir Olldashi i cili ka marrë përsipër autorësinë e përgjimit të pretenduar me vëllanë e ministrit Fatmir Xhafaj.
Tre zyrtarët janë paraqitur në orën 10:00 në ambientet e Prokurorisë për Krime të Rënda. Prokuroria i kishte thirrur të enjten e shkuar zyrtarët demokratë, por u shty për shkak të angazhimeve të tyre me seancën plenare.
Të martën, (15 maj) oficerët e policisë gjyqësore morën audio-përgjimin e publikuar dhe kanë nisur hetimet për verifikimin e saj. Në audio përgjim PD-ja pretendon se vëllai i Fatmir Xhafës, Agron Xhafaj, bën pazare me një person tjetër për trafikun e drogës.
Vetë Agron Xhafaj, në një letër të hapur për publikun, bëri me dije se është dorëzuar tek autoritetet italiane, ndërsa për audio-përgjimi tha se është fals për të shantazhuar atë dhe vëllain e tij, Fatmir Xhafaj.
Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salinanji është paraqitur sot në ambientet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, bashkë me demokratin Gazmend Bardhi, sa i takon çështjes së audio-përgjimit. Gjatë hyrjes në prokurori, Salijani mbante një fletë të bardhë, ku shkruhej “Unë nuk jam Ervin Salinanji”, duke ironizuar qëndrimin e vëllait të ministrit që deklaron se nuk është ai personi që përmendet në audio-përgjim.
Me herët prokuroria ka marrë dëshminë e Albert Veliu, i prezantuar fillimisht nga PD si Dëshmitari “X”.
Deponimet e zyrtarëve të PD dhe gazetarit pritet të hedhin dritë mbi mënyrën sesi është realizuar materiali që u prezantua në selinë e PD-së si një përgjim që faktonte implikimin e ministrit të Brendshëm. Deri më sot janë të shumta pikëpyetjet për vërtetësinë e deklarimeve të PD-së, si dhe autenticitetin e audio-përgjimit.
LAJME TË TJERA PËR KËTË ARGUMENT