Automjetet elektrike: Gjermania po bëhet qendër baterish. Po vjen epoka e makinave me bateri

Nga DW-

Një në katër bateri makinash elektrike të prodhuara në Evropë mund të prodhohet në të ardhmen në Gjermani. Studiuesit parashikojnë një bum të madh deri në fund të dekadës.

Gjermania mund të bëhet vendi më i rëndësishëm në Evropë për prodhimin e baterive për automjetet elektrike. Analizat nga Instituti Fraunhofer për Kërkimin dhe Inovacionin e Sistemeve (ISI) në Karlsruhe parashikojnë kapacitete të mundshme gjeneruese deri në 1.5 TWh në të gjithë Evropën deri në fund të dekadës. Me pothuajse 0.4 TWh, qendrat e prodhimit në Gjermani mund të ofrojnë pjesën më të madhe.

“Ne po studiojmë planet për fabrikat e prodhimit të baterive në të gjithë botën,” shpjegon Lukas Weymann nga Fraunhofer ISI në një intervistë për DW. “Që nga viti 2014, për shembull, në kuadër të studimeve të monitorimit të ruajtjes së energjisë, kemi parë nga afër Kinën, Gjermaninë, Francën, Japoninë dhe Korenë e Jugut. Ndërkohë monitorimi bëhet në shkallë globale”.

Kjo është arsyeja pse studiuesit e Karlsruhes kanë mundësi ta vendosin prodhimin në rritje të qelizave të baterive të Gjermanisë dhe Evropës në një kontekst global, thotë Weymann. Kështu, Evropa do të gjeneronte rreth një të katërtën e kapacitetit maksimal të prodhimit në botë.

Analizat regojnë: sipas njoftimeve të prodhuesve aktivë të baterive në Evropë, kapacitetet prodhuese deri në 0,124 TWh mund të arrihen që gjatë vitit 2022. Deri në vitin 2025, këto kapacitete duhet të katërfishohen për të arritur më shumë se 0,5 TWh, madje edhe të dhjetëfishohen, për të arritur deri në 1.5 TWh deri në vitin 2030. Në teori, kjo do të bënte të mundur pajisjen e rreth 25 milionë automjeteve elektrike.

Për periudhën aktuale deri në vitin 2025, studiuesi parashikon një bum të madh, gjatë të cilit kapacitetet maksimale të prodhimit vjetor do të rriten me 50 deri në 100 për qind nga viti në vit.

Prodhuesit aziatikë dominojnë deri tani tregun e baterive

Aktualisht, prodhuesit nga Kina, Japonia dhe Koreja e Jugut ofrojnë shumicën e baterive me litium-jon. Meqenëse planet për shndërrimin e energjisë dhe transportit, si dhe për largimin nga karburantet fosile po bëhen gjithnjë e më konkrete, zgjerimi i shpejtë dhe ndërtimi i vendeve të prodhimit të qelizave të baterive në Evropë janë gjithnjë e më shumë në qendër të vëmendjes.

Kancelari Scholz në qendër të vëmendjes: fillimi i ndërtimit të fabrikës së baterive VW në Salzgitter

Që më 7 korrik, në Salzgitter, Saksonia e Poshtme, u vendos në prani të kancelarit federal Olaf Scholz gurthemeli për fabrikën e parë gjigande të prodhuesit të automjeteve Volkswagen. Aty do të krijohen deri 5000 vende të reja pune.

Grupi VW planifikon të ndërtojë pesë fabrika të tjera baterish në Evropë në të njëjtin model. Përveç Salzgitter-it, tashmë janë planifikuar Skellefteå në veri të Suedisë dhe Valencia në Spanjë. Për tre vendet e tjera, aplikimet janë në progres, veçanërisht në Gjermani dhe Evropën Lindore. Deri në vitin 2030, grupi VW dëshiron të investojë, me partnerët e tij, më shumë se 20 miliardë euro në këtë sektor të ri biznesi për të.

Drejtues të tjerë të prodhimit evropian të baterive në Evropë janë kompania suedeze Northvolt dhe kompania Franko-Gjermane Automotive Cells (ACC), në të cilën marrin pjesë, ndër të tjera, grupet e automobilave Mercedes-Benz dhe Stellantis. Northvolt tashmë po ndërton dy fabrika gjigande në Suedi dhe dëshiron të fillojë ndërtimin e një tjetre në Gjermani në vitin 2023. ACC ka shpallur vende prodhimi në Gjermani, Francë dhe Itali.

Liderët jo evropianë të baterive si CATL e Kinës dhe Tesla e Amerikës po kryesojnë gjithashtu me planet për fabrikat e qelizave të baterive në Gjermani. Samsung SDI dhe LGES (të dyja nga Koreja e Jugut) janë gjithsesi ndër lojtarët e mëdhenj me fabrikat e tyre ekzistuese të qelizave të baterive në Evropën Lindore, Hungari dhe Poloni.

40 prodhues do të jenë aktivë në 15 vende

Në total, nëse parashikimet e Institutit Fraunhofer ISI rezultojnë të sakta, rreth 40 prodhues duhet të krijojnë objekte prodhimi në më shumë se 15 vende evropiane.

“Ne i konsiderojmë njoftimet si mjaft konkrete për t’u konsideruar realiste”, thotë Lukas Weymann për DW në këtë kontekst.

Ai sjell shembullin e kompanisë Farasis, në të cilën merr pjesë edhe Mercedes-Benz. Majin e kaluar, kinezët i befasuan të gjithë duke shtyrë projektin e tyre të fabrikës në Bitterfeld-Wolfen, në Gjermaninë lindore.

Mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar është sfida më e madhe

“Nga ana tjetër, ka ende disa deklarata të qëllimit dhe gjithashtu mund të presim që prodhues të tjerë të qelizave të baterive të shpallin projekte të prodhimit të baterive në Evropë në vitet e ardhshme,” thotë Weymann.

Prandaj, nuk është mungesa e vullnetit të investitorëve dhe prodhuesve që frenon një numër më të madh të vendeve të prodhimit të qelizave të baterive në Evropë. Sfida e madhe është më tepër mungesa e personelit të kualifikuar, sipas studiuesit.

SHKARKO APP