Autostrada Thumanë-Kashar po bëhet gati për datën 30 qershor

Kryeministri Rama ka përcjellë përmes një postimi në rrjetet sociale ecurinë e punimeve në kantierin e Thumanë-Kashar… Në këtë aks “po punohet me ritme të shpejta për të siguruar përfundimin e këtij aksi më 30 qershor, përmes të cilit lehtësohet ndjeshëm qarkullimi i automjeteve” shkruan në postimin e tij kreu i ekzekutivit shqiptar.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku së bashku me Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli, ndoqën nga afër ecurinë e punimeve.

Balluku bëri të ditur se tashmë gjurma është e hapur dhe të gjithë qytetarët banesat e të cilëve ndodheshin në gjurmët e rrugës, janë trajtuar sipas legjislacionit.

“Për 6 shtëpitë e fundit që kishin mbetur, pavarësisht se ishin të palegalizuara banorët po trajtohen me bonus qiraje deri në momentin që bashkia e Vorës do t’i akomodojë në shtëpi sociale. Zhurma e ditëve të fundit ishte përdorim politik ”, tha Balluku.

Aksi rrugor Thumanë-Kashar, pjesë e Korridorit Blu, do të hapet për qarkullim në datën 30 qershor. Ky segment rrugor ka një gjatësi prej 21.05 km dhe përshkruan një prej zonave me trafik të rënduar, veçanërisht gjatë verës. Hapja e tij pritet ta lehtësojë ndjeshëm trafikun. Rruga do të jetë e kategorisë A, duke plotësuar parametrat më të lartë të sigurisë rrugore.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka bërë të ditur se duke qenë një autostradë e kategorisë A, është parashikuar që brenda standardeve të ndërtohet dhe një gardh rrethues, nga të dyja anët, në mënyrë të tillë që të mos lejohet aksesi i askujt duke rritur kështu sigurinë e lëvizjes. Krahas aksit kryesorë, do të ketë edhe rrugë alternative, si një opsion për të gjithë qytetarët.

Aksi Thumanë-Kashar ka pjesë të tij disa vepra arti, 11 ura, 105 tombino, 6 mbikalime dhe 6 nënkalime. Është një lajm i mirë për qytetarët dhe shoferët që do të mund të udhëtojnë më lehtë dhe më sigurt në këtë segment rrugor.

SHKARKO APP