Autostrada u mbyll, Vasili: Po 10 mln turistët si kaçakë nga malet do kalojnë?

Kreu i grupit parlamentar i LSI-së, Petrit Vasili, është i pari nga politika që reagon për mbylljen e autostradës Tiranë-Durrës. Përmes një postimi në facebook, Vasili me ironi pyet se ku do kalojnë 10 milion turistët që do të vijnë në Shqipëri këtë vit.

”Thonë që priten 10 milion turistë në Shqipëri këtë vit. Autostradën Tiranë-Durrës e mbyllën këta “strategët” e turizmit pikërisht në startin e sezonit turistik. E padëgjuar kjo bëmë e fundit e këtyre. Po këta 10 milionë turistët nga do ti bien për të dalë në det. Nga kodrat e nga malet i bie, se rrugë tjetër nuk ka”,-shkruan kreu i grupit parlamentar i LSI-së.

Në statusin e kësaj të hëne, Vasili tregon se si humbasin bizneset paratë, dhe se ekonominë kombëtare këto punë të qeverisë po e dëmtojnë. ”Fol kryeministër fol, se e bëre edhe Shvejkun të harrohet. Vërtet kryeministër s’ke asnjë faj, se ty s’të duhet gjë për çfarë flet vetë”.

Autostrada Tiranë-Durrës prej ditës së sotme do të bllokohet në disa pjesë të saj për shkak se ka nisur riparimi i pjesëve të dëmtuara rëndë.

Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia Rrugore njoftuan se ka filluar riparimi i asfaltit në aksin Qafë Kashar – Durrës dhe anasjelltas. Gjatë ditës së Hënë dhe të Martë do të bllokohet dhe kryhet ndërhyrja në segmentin e parë nga Qafë Kashari në drejtim të Vorës.

Qarkullimi drejt Durrësit do devijohet në rrugët dytësore, ndërsa lëvizja e mjeteve të rënda në drejtim të veriut duhet të bëhet përmes Kamzës. Ndërkohë drejtuesit e mjeteve që kanë si destinacion jugun, duhet të përdorin drejtimin nga Elbasani.

Ky është stress i madh për qytetarët mu në sezonin e verës.

SHKARKO APP