Avokati i pilotit italian të rrëzuar: “Piloti italian nuk ka thënë asgjë!”

 

Intervistë ekskluzive për “Koha Jone” e Aleksandër Ndrejaj, avokat i pilotit italian, Guido Andrea Guidi

 

Është kthyer në një mister historia e avionit italian që u kap në zonën e Ishmit në Durrës. Në media, prej tre ditësh ka lajme ku raportohet se piloti italian Guido Andrea Guidi, ka pranuar se ndodhej në Shqipëri për trafik droge. Ka pranuar se ishte lidhur me një rrjet trafiku shqiptaro-italian. Është thënë se në telefonin e tij ka numra qytetarësh shqiptarë dhe zyrtarësh që bashkëpunojnë në trafik. Është thënë se ka pranuar se do merrte 200 kg hashash. Në mediat e Italisë dje u raportua se veç drogës, Guido Andrea Guidi do transportonte edhe armë nga Shqipëria.

Të gjitha këto janë lajme të nxjerra në media me burime nga Prokuroria apo nga Ministria e Brendshme.

I vetmi person që pranon të flas me emër për këtë çështje dhe që ka dijeni të plotë për detajet e hetimit është avokati i tij shqiptar, Aleksandër Ndrejaj. Në një intervistë ekskluzive për “Koha Jonë” avokati Ndrejaj rrëzon gjithçka që qarkullon këto ditë në mediat shqiptare dhe italiane.

Ndreja thotë se piloti italian nuk ka pranuar se ka ardhur për trafik droge në Shqipëri. “Lidhur me emrat dhe çfarë ka thënë, ato që janë bërë publike  nuk  janë të vërteta”,- thotë avokati për “Koha Jonë”. Ndërsa për raportimet se janë gjetur emra të personave shqiptarë në telefonin e tij, avokati thotë se “nuk është gjetur asnjë numër shqiptarë në telefonin e pilotit, përveç numrat e familjarëve, të afërmve të tij dhe të shoqërisë italiane ku punonte si instruktor dhe pilot”.

 

A është e vërtetë se piloti italian që u rrëzua në Ishëm të Krujës, Guido Andrea Guidi, po bashkëpunon me drejtësinë shqiptare?

Po është e vërtetë se piloti italian Guido Guidi është pyetur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe nuk është rrëzuar, po ka pësuar një defekt gjatë fluturimit. Në lidhje për bashkëpunimin që pyesni, ai ka dëshmuar në lidhje me ngjarjen që ka ndodhur dhe tani është bërë publike nga mediat. Deklarimet e tij janë pjesë e hetimeve dhe verifikimeve që e ka detyrim ligjor ta bëjë organi i hetimit.

Ishte rruga e parë e pilotit me avion në Shqipëri apo ka bërë edhe rrugë të tjera nga Italia në Shqipëri?

Piloti nuk ka bërë asnjë fluturim në Shqipëri dhe ardhja e tij në Shqipëri nuk ka pasur asnjë qëllim për të marrë lëndë narkotike, thjesht ka ardhur për të parë bregdetin dhe rivierën shqiptare. Thjesht ka bërë një rrotullim dhe në ngjitje ka pësuar defekt në avion. Nëse do shikoni dhe filmimet e vendngjarjes duken rrotat e avionin dhe lëvizja që ka bërë.

Në telefonat celularë të pilotit janë gjetur nga prokuroria emra shqiptarë të bashkëpunimit në rrjetin e drogës. Emrat me të cilët bashkëpunonte piloti janë nga Kruja, Durrësi, Tirana? A ka emra VIP për të cilët punonte piloti?

Nuk është gjetur asnjë numër shqiptarë në telefonin e pilotit, përveç numrat e familjarëve, të afërmëve të tij dhe të shoqërisë italiane ku punonte si instruktor dhe pilot.

Ju jeni avokat i tij që në momentin e arrestimit apo më vonë? Keni qenë avokat i tij në momentin kur gazetari Artan Hoxha tha ne TV Klan se piloti Guido Andrea Guidi ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë shqiptare dhe ka nxjerr emra?

Jam avokati i tij që në momentin e shoqërimit në komisariatin e policisë dhe ndaj tij për asnjë moment nuk është dhënë urdhër arresti. Në momentin që gazetari, Artan Hoxha, ka dhënë deklaratën në emisionin e televizionit “Klan”, ne kemi qenë duke dhënë deklarime, në prezencë të përkthyesit dhe punonjësve të policisë, lidhur me defektin, incidentin që ka pësuar avioni. Lidhur me veprimet e tjera ato janë procedurë e hetimit dhe nuk kam komente. Lidhur me emrat dhe çfarë ka thënë, ato që janë bërë publike nuk janë të vërteta. Prokuroria vijon hetimet për të verifikuar në lidhje me dëshminë që ka dhënë dhe kjo është pjesë dhe detyrim i prokurorisë për të vërtetuar dyshimin e saj apo hipotezat në ngritura dhe alibitë.

Piloti italian ruhet në Durrës apo në Tirane nga policia me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda?

Shtetasi italian është shëndoshë e mirë, në gjendje të lirë. Të tjerat janë sekrete të hetimit, deri në zbardhjen e plotë.

Cila do të jetë, sipas jush, masa më e lartë e dënimit të pilotit?

Deri më tani nuk ka asnjë akuzë kundrejt pilotit për momentin dhe në veprimet paraprake akuzohet në bazë të nenit 283/a e 22 të Kodit Penal, akuzë e cila nuk është pranuar nga ana jonë. Deri më tani nuk është e provuar asnjë akuzë kundrejt tij. Nëse flitet për kalim të paligjshëm në vendin tonë , kjo është një alibi gazetareske.

E heton policia apo vetëm prokuroria pilotin në këto momente?

Në rastin konkret, hetimet po i kryen organi i akuzës, që do të thotë që prokuroria i ka kompetencat për të bërë hetimet në bashkëpunim me policinë, nëse kjo e fundit ka ndonjë informacion shtesë që mund ta marrë në rrugë operative.

 

A e dini se edhe ju, si avokat jeni nën përgjim, sapo jeni caktuar avokat i pilotit italian?

Puna e përgjimeve është një diçka e rëndomtë këtu në Shqipëri, ku mund të përgjohemi çdo ditë dhe cenohet privatësia e individit dhe shkelet çdo e drejtë themelore dhe kushtetuese. Se mund të jetë telefoni në përgjim për ne avokatët është një gjë e ditur dhe e përditshme, nuk është ndonjë informacion i ri në lidhje me këtë fakt.

A ju kërkojnë nga policia informacione (miqësisht) se çfarë po u thotë piloti Guido Andrea Guidi prokurorisë?

Veprimet hetimore janë kryer në prezencë të prokurorit dhe punonjësve të seksionit të antidrogës. Këto janë veprime normale që bëhen në çdo rast kur ngrihet një dyshim i arsyeshëm në lidhje me një ngjarje. Në rastin konkret, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka qenë korrekte në zbatimin e ligjit, duke zbatuar me përpikmëri Kushtetutën e shtetit shqiptar, Kodin Penal dhe në vençanti Kodin e Procedurës Penale, të cilin e ka zbatuar me një përpikëmëri të plotë, pa shkelur dhe cenuar në asnjë moment atë.

Kjo tregon se Reforma në Drejtësi, e shumë përfolur po jep frytet e saj, sepse asnjë nuk mund të arrestohet vetëm se ka një dyshim të arsyeshëm të pambështetur në prova dhe në ligj. Dhe diçka tjetër, fakti që vetë prokurori vjen në marrjen në pyetje të personit të ndaluar apo të shoqëruar, që në momentin e shoqërimit në polici dhe bën veprimet paraprake për të arritur në konkluzionin përfundimtar, mbi cilësimin juridik të një vepre apo jo, nëse duhet ndaluar një shtetas (shoqëruar) në polici, apo duhet të hetohet në gjendje të lirë, kjo është ajo që shumë persona mund të jenë ndaluar në veprimet e para hetimore dhe gjatë hetimeve kanë pësuar ndryshimin apo kualifikim të veprës penale për të cilën ata janë akuzuar në momentin e ndalimit. Doja te theksoja se çdo prokuror duhet të jetë prezent, në çdo marrje në pyetje të personit për të cilin ka një dyshim në lidhje me provat dhe faktet që disponon policia në momentin e marrjes në pyetje ose të ndalimit të tij.

E fundit, ju zgjodhi ju si avokat piloti Guido Andrea Guidi apo ia caktoi shteti?

Jam thirrur në momentin e parë dhe pastaj jam zgjedhur dhe vazhdoj të jem avokati i tij mbrojtës. Kam njoftuar familjen e tij, vajzën e tij për gjendjen shëndetësore të tij, e cila me ato që kanë shkruar shtypi italian, me çfarë kam lexuar gazetat s’kanë asnjë lidhje me deklarimet që ka dhënë Guido Guidi. Dua t’ju theksoj se s’ka asnjë lidhje pesha që është përdorur rëndomtë në media. S’ka pasur asnjë qëllim të marrë lëndë narkotike në Shqipëri ditën që ka pësuar defekt në zonën e Ishmit. Tjetër gjë që trillohet për arsye politike apo për të shitur gazetat apo lajmet.

 

avioni-durres

SHKARKO APP