Lulzim Basha kërcënon biznesmenët afër qeverisë: Nuk do t’i gëzoni paratë e vjedhura me koncesione

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një deklaratë për mediat e cilësoi buxhetin e vitit 2019, të miratuar sot vetëm me votat e PS në Kuvend, si një vjedhje me ligj. Kryedemokrati u shpreh se ky buxhet ka prioritet vetëm koncesionet dhe rritjen e shpenzimeve për luksin e ministrave të kabinetit “Rama”.

“Është buxheti më katastrofë në 28 vjet, ngarkon me borxh edhe foshnjet e sapolindura. Sot ka një borxh të deklaruar së bashku me llogaritje e KLSH prej afro 74% dhe ka një borxh tjetër që e mban të fshehur, borxhi i PPP që ka shkuar mbi 2.2 miliard euro. Shqiptarëve borxhi u shkon 82-84%.  Ndërkohë që ka parashikuar vetëm 40 milion euro për të pangrënët”,- u shpreh kreu i PD.

Në konferencën e sotme për mediat, Basha bëri një paralajmërim të fortë për bizneset që janë përfshirë në skemat e koncesioneve. Ai deklaroi se të gjitha bizneset që kanë marrë koncesione do të verifikohen dhe nëse rezultojnë abuzime, do të mbajnë përgjegjësi jo vetëm zyrtarët, por edhe biznesmenët.

Basha tha se pavarësisht nëse historia politike personale e biznesmenëve që ka qenë më PD apo me PS, ata do të mbajnë përgjegjësi ligjore. ““Ta harrojnë që do ti gëzojnë parat që kanë marrë apo ato që duan të marrim. Partia Demokratike është vendosur për të bërë ligjin anti-mafia për koncesionet e PPP-të. Thirrini mendjes ju dhe bankierët, hiqni dorë nga PPP, asnjë nuk do të lejohet, pavarësisht emrit dhe mbiemrit, dhe të shkuarës në politikë. Paratë tuaja do të merren dhe do ti shkojnë sërish buxhetit. Mos u bëni njësh me kusarin se duke vjedhur paratë e shqiptarëve“,- u shpreh kreu i PD-së.

Kryedemokrati u shpreh se koha e vjedhjeve me ligje speciale do të marrë fund shumë shpejt. Sipas kreut të PD-së, problemi me abuzimet nuk është vetëm çështje e qeveritarëve që rrezikojnë burgun, por edhe e atyre pak biznesmenëve që janë bërë me vetëdije pjesë e skemës së vjedhjes së qeverisë. “Anulimi i të gjithë koncesioneve korruptive. Të harrojnë se do ti gëzojnë paratë që kanë marrë apo ato para që parashikojnë të marrin”,- deklaroi Lulzim Basha.

https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/videos/399509173921014/

SHKARKO APP