Basha dhe Berisha: ‘Partizani’ i 613 kg kokainë është Olsi Rama

Kreu i PD-së Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Sali Berisha kanë aluduar sot se pas sasisë prej 613 kilogramë kokainë qëndron Olsi Rama, vëllai i kryeministrit Edi Rama. Në fjalimet e mbajtura sot në Kuvend, Berisha dhe Basha akuzuan Edi Ramën se sasia e drogës që u kap në Maaminas të Durrësit nuk mund të vinte në Shqipëri pa mbështetjen e Edi Rama dhe segmenteve të qeverisë.

Kreu i demokratëve përmendi vëllain e kryeministrit si të implikuar në trafikun e 613 kilogram kokainë nga Kolumbia. Basha ju referua të dhënave në Facebook të shoferit Armando Pezaku, që është arrestuar nga policia dhe që kishte shkruar si profesion kishte “u çoj miell partizanëve”. “Njësoj si në rastin e Xibrakës, operatorët kryesorë ia mbathin, asnjë që mund të tregojë nuk kapet. Mbetemi me një shofer që na thotë se malli është për partizanët? Nuk e dimë nëse e ka fjalën për pasardhësit, trashëgimtarët e komunistëve.. apo e ka fjalën për ndonjë ekip futbolli me vëllain e kryeministrit, drejtor? Jo nuk e dimë, dimë vetëm se kaq alarmant u konsiderua ky status sa në të gjitha portalet qeveriare u hoq si me magji. Nuk është fakt. është rrethanë anësore por jo për t’u injoruar. Nuk ka asnjë portal qeveritar që mos ta ketë fshirë faktin se malli apo mielli ishte për partizanët”,- u shpreh Lulzim Basha në parlament.

Kreu i PD-së tha se në Shqipëri ekzistojnë tre laboratorë të kokainës që do të përpunonin kokainën e pastër që erdhi nga Kolumbia. Sipas Bashës, trafikantët kanë pasur garanci politike për të sjellë një sasi të tillë kokaine në Shqipëri. “Arbër Çekaj u largua në 27 shkurt, 24 orë para se të kapej kokaina në Maminas. U largua pasi mbylli niptin gjyqësor të magazinës”,- u shpreh Basha duke lënë të kuptohet se operacioni u dekonspirua.

Ndërkohë Sali Berisha u shpreh se Maminasi dhe Xibraka, dy vendet ku është kapur sasi e madhe kokainë, janë “investime” të qeverisë “Rama” dhe njerëzve të tij.

Më tej, Berisha thotë se me urdhër të kryeministrit Rama, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj prishi provat dhe bllokoi hetimin për kokainën në Durrës. Ashtu si Basha edhe Berisha shprehet se droga në të dy rastet është porositur për vëllanë e kreut të qeverisë. “Dramatike dhe ogurzezë për shqiptarët është se droga e ardhur nga Kolumbia në sasinë më të madhe të mbërritur në portretet e Ballkanit, ishte drogë e adresuar direkt për Olsi Ramën. Ishte adresuar për klanin e vëllezërve Rama, ishte drogë e cila u shënjua që në nisje nga autoritetet kolumbiane. Arriti në portet e Italisë, ku u zbërthyer, dhe erdhi për Olsi Ramën në 19 shkurt. Unë nuk e bëj këtë për politikë, por sepse më 28 shkurt u përsërit identik “Xibraka”, në të cilin Olsi dhe Edi ishin njerëzit më kryesorë. Njëlloj siç veproi Saimir Trafiku, veproi në Durrës edhe Fatmir Xhafaj. Me urdhër të Eamës prishi provat, bllokoi hetimin”, tha ish-kryeministri Berisha.

Kryeministri nuk u është përgjigjur akuzave për vëllanë e tij. Në komentet e para që ka bërë për operacionin në Maminas ai ka deklaruar se kapja e një sasie kaq të madhe droge është sukses i Policisë së Shtetit dhe tregon se qeveria e tij po e lufton krimin e organizuar.

SHKARKO APP