Basha dhe Rama zihen dhe shahen në Facebook
Kryeministri Edi Rama dhe kreu i PD-së, Lulzim Basha kanë replikuar ashpër në Facebook për reformën në drejtësi dhe procesin e Vettingut.
Kryeministri Edi Rama, në një deklaratë në rrjetet sociale këtë të shtunë komentoi procesin e vetingut, duke u shprehur se procesi vazhdon dhe se opozita hidhet përpjetë pas çdo goditje. Kreu i qeverisë thotë se pas çdo goditje të Vettingut opozita po hidhet përpjetë. “Vetingu vijon të godasë me sukses në kokë oktapodin e korrupsionit degjenerues në drejtësi. Po për fatkeqësinë e zgjedhësve të saj që e mbështesin Vetingun, njësoj si gjithë qytetarët e për turpin e saj më të madh, opozita hidhet përpjetë pas çdo goditje”,- thotë Rama.
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha i është përgjigjur Kryeministrit Rama në lidhje me deklaratën e tij të fundit për Reformën në Drejtësi. Basha me anë të një postimi në Facebook, shkruan se Rama është koka e oktapodit të Drejtësisë.
Postimi i kreut të PD, Lulzim Basha:
“Edi Rama është Koka e Oktapodit të Drejtësisë që mbron dhe nuk ndëshkon politikanët e korruptuar e të lidhur me krimin. Për të mbrojtur Tahirin, Xhafën, Roshin, Frrokun, Dakon, Sejdinin, Ahmetajn dhe Gjiknurin me shokë, Edi Rama kapi Prokurorin e Përgjithshëm dhe zhduku Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë.
Tani Edi Rama po mbron nga vetingu gjyqtarët e korruptuar si Toska, Dvorani dhe Faqolli, si shpërblim për dosjet që mbyllën dhe si kapar për dosjet që duhen mbyllur.
Sa herë PD denoncon me fakte konfirmimin në detyrë në kundërshtim me ligjin e Vettingut të shërbëtorit të Edi Ramës në Gjykatën e Lartë, Ardian Dvorani, Edi Rama, reagon me akuza të dala boje kundër opozitës.
Vettingu i kontrolluar politikisht prej Ramës, ka konfirmuar në detyrë gjyqtarë e prokurorë të korruptuar, pavarësisht rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për shkarkimin e tyre. Ndaj atij i ka rënë maska dhe tregohet botërisht me gisht si njeriu që mbron korrupsionin në drejtësi, për të mbrojtur interesat e veta dhe të krimit të organizuar me të cilin bashkëqeveris”.