Lulzim Basha: Fakte tronditëse për lidhjet e qeverisë me bandat e kumarit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha paralajmëroi sot publikimin e fakteve të reja që implikojnë drejtuesit e qeverisë me bandat kriminale. Nga qyteti i Durrësit, ku kreu i PD-së zhvilloi mbledhjen me deputetët e opozitës, Basha deklaroi se denoncimet e reja lidhen me përfshirjen e kryeministrit Edi Rama në skemën e pastrimit të parave në lojërat e fatit.

“PD do të publikojë fakte tronditëse që tregojnë sesi Edi Rama dhe Fatmir Xhafa kanë përdorur pushtetin politik për të ndihmuar bandat e krimit të organizuar për të shtënë në dorë lojërat e fatit dhe për t’i përdorur ato për  pastrimin e parave të pista të drogës dhe korrupsionit”,- deklaroi kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Në deklaratën e tij, Basha akuzoi kreun e qeverisë si të lidhur direkt me krimin e organizuar. Ai shtoi se kur një kryeministër është i përfshirë direkt në afera, ai është pengesa kryesore për integrimin në BE.

“Një Kryeministër dhe një Ministër i Brendshëm i palidhur me krimin është garancia minimale për të vazhduar përpara me reformën e proceseve të domosdoshme e për të zhbllokuar rrugën e bllokuar të Shqipërisë drejt BE-së. Mesazhet e partnerëve tanë janë të qartë: askush në Europë nuk do të tolerojë politikanë të lidhur me krimin”,- tha kreu i PD-së.

Në akuzat e Lulzim Bashës nuk munguan dhe sulmet ndaj të afërmve të kryeministrit Rama. Ai deklaroi se në drogën e kapur në Elbasan disa vite më parë është i përfshirë direkt vëllai i kryeministrit. Basha shtoi se kjo është dhe arsyeja pse qeveria ka bllokuar hetimet.

“Edi Rama duhet të thotë pse nuk lejon hetimin e vëllait Olsi Rama për përfshirjen e tij, botërisht të njohur, në fabrikën e kokainës në Xibrakë, si dhe në afera të tjera kriminale në trafikun e drogës”,- deklaroi kreu i Partisë Demokratike.

Ndërkohë që Lulzim Basha akuzonte nga Durrësi qeverinë për lojërat e fatit, në Kuvend mazhoranca rimiratoi ligjin për lojërat e fatit, i cili nuk u dekretua nga Presidenti Ilir Meta, me argumentin se binte ndesh me Kushtetutën. Sipas qeverisë “Rama”, ligji i ri nuk favorizon kompanitë e biznesit të kumarit nuk opozita nuk e ka kuptuar thelbin e tij.

Në biznesin e lojërave të fatit historikisht kanë qarkulluar para të pista dhe interesa politike. Këmbëngulja e qeverisë për të miratuar një ligj që qartazi ishte antikushtetues është dëshmi e interesave që nuk kanë lidhje me zbatimin e ligjit.

Qeveria e shprehu sot qëndrimin e saj duke u bërë palë me biznesin e kazinove dhe kumarit. Mbetet të shihet se çfarë faktesh të reja do të sjellë këto ditë PD për denoncuar këtë skemë

SHKARKO APP