Basha: Kërcënimi ndaj gjyqtarit, skandali më i madh në 28 vite

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e cilësoi sot shantazhin e qeverisë ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Strazburgut, Ledio Bianko si skandalin më të madh të 28 viteve të fundit.

“Regjistrimi në audio i publikuar në media, tregon se Denar Biba, në emër të Engjëll Agaçit, Sekretar i Përgjithshëm i Edi Ramës, kërcënon Ledio Biankun se nëse nuk do të zbatojë urdhrin e Ramës ai do të mbetet pa punë dhe sakrifica e tij për zbatimin e drejtësisë nuk do të shërbejë për asgjë”,- tha Basha.

Kreu i PD-së tha se ky akt është i pashembullt në historinë e Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Stazburg. “Prokuroria duhet të kishte nisur hetimin sa më parë për këtë ngjarje dhe duket të kishte marrë masa. Por prokuroria e kapur nuk ka bërë asnjë veprim. Ky përgjim tregon mekanzimin që përdor Edi Rama për të kapur drejtësinë. Kur Edi Rama arrin të kërcënojë gjyqtarin në Gjykatën e Straburgut, çdo shqiptarë e ka të qartë se çfarë po bëhet me gjyqtarët e Vettingut”,- tha kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Kreu i PD-së tha se Edi Rama është pas gjithë kësaj skeme. Ai shtoi se Edi Rama duhet të kishte shkarkuar sot Denar Bibën nga detyra në KQZ dhe Sekretarin e Kryeministrisë Engjëll Agaçi.

Deklarata e Lulzim Bashës u bë pas publikimit të një bisede audio të përgjuar mes ish-kryetarit të KQZ, Denar Biba dhe gjyqtarit shqiptar në Gjykatën e Strasburgut, Ledio Bianku. Denar Biba, në emër të Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeminsitrisë, i kërkon Biankut të ndikonte ne stopim të proceseve gjyqësore në ngarkim të qeverisë nga gjykata e Strazburgut.

Deklarata e plotë e kryetarit, Lulzim Basha:

“Një audio regjistrim ku dëgjohet shkoqur sesi gjyqtari shqiptar në Strasburg, Ledi Bianku, shantazhohet në emër të Engjëll Agaçit, sekretarit të përgjithshëm të kryeministrit dhe krahut të djathtë të Edi Ramës, që të ndikojë vendimet e pronave në favor të qeverisë, është prova më tronditëse në këto 28 vjet, që e fakton qeverinë e Edi Ramës si një organizatë tipike mafioze.

Audio regjistrimi i Denar Bibës, aktualisht nënkryetar i KQZ dhe kandidat për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, është prova më e pakundërshtueshme sesi e ka projektuar Edi Rama drejtësinë e re për shqiptarët.

Pasi ka vënë nën kontroll të plotë gjykatat dhe prokurorinë shqiptare, Edi Rama ka kërcënuar edhe shantazhuar gjyqtarin shqiptar në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/videos/230683710958525/

Sipas regjistrimit audio të publikuar nga media, Denar Biba, në emër të Engjëll Agaçit, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, ka shantazhuar gjyqtarin shqiptar në Strasburg, që të bëjë kompromis me Qeverinë në kurriz të të drejtave të pronarëve shqiptarë.

Kërcënimi është i qartë: Nëse nuk zbaton porosinë e Edi Ramës “pas përfundimit të mandatit do të mbetet pa punë dhe se sakrifica për të zbatuar me korrektësi ligjin nuk do t’i shërbejë për asgjë”.

Me këtë gjuhë tipike mafioze, i dërguari i Engjëll Agaçit, pra i Edi Ramës, i kujton gjyqtarit shqiptar në Strasburg se: “ky tren, pra mundësia e për të bërë pazar me Qeverinë, nuk do t’i vijë më në jetë”.

Ky shantazh është një akt të mirëfilltë mafioz dhe një rast të paprecedentë jo vetëm në historinë e shtetit shqiptar, por edhe i pa imagjinueshëm në historinë e Gjykatës Europiane të Drejtave të Njeriut.

Engjëll Agaçi dhe Denar Biba, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me porosi të Edi Ramës, kanë kryer veprat penale të korrupsionit aktiv dhe ushtrimit të ndikimit të paligjshëm në kryerjen e detyrës dhe marrjen e vendimeve nga personat që ushtrojnë funksione publike.

Prokuroria duhet të kishte nisur këtë mëngjes procedimin penal ndaj tyre, dhe duhet ta kishte komunikuar këtë publikisht, për të treguar se nuk është një vegël në dorën e Edi Ramës dhe të sejmenëve të tij.

Por prokuroria e kapur nga Edi Rama hesht, siç ka heshtur për çdo krim që përfshin zyrtarë të lartë të qeverisë së Edi Ramës.

Shantazhi ndaj gjyqtarit shqiptar në Gjykatën e Strasburgut, zbulon para cdo shqiptari dhe miqve të huaj mekanizmin që përdor Edi Rama për të kontrolluar çdo vendim të prokurorëve, gjyqtarëve e komisionerëve të vettingut në Shqipëri.

Kur Edi Rama arrin të shantazhojë gjyqtarin në Gjykatën e Strasburgut, çdo shqiptar e ka të thjeshtë ta imagjinojë presionin, korrupsionin dhe shantazhin që Edi Rama u bën gjyqtarëve, peokurorëve dhe anëtarëve të vettingut.

Kjo është prova dhe arsyeja pse komisioni i vettingu ka konfirmuar në detyrë gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar, siç vinte në dukje pak ditë më parë edhe Washington Times.

Sot prokuroria duhet të kish nisur menjëherë procedimin penal ndaj Engjëll Agaçit dhe Denar Bibës për shantazh ndaj gjyqtarit shqiptar në Gjykatën e Strasburgut dhe duhej të kishte njoftuar publikun për një hap të tillë.

Por kjo nuk ndodh sa kohë kemi nje prokurori të kapur nga Edi Rama dhe njerëzit e tij të lidhur kokë e këmbë me krimin.

Me vënien e tyre para përgjegjësisë penale, një prokurori që i shërbën qytetarëve dhe jo mafias, do të provojë atë që dimë të gjithë, se urdhëruesi i kërcënimit të gjyqtarit shqiptar në Strasburg, është vetë Edi Rama.

Asgjë tjetër nuk e justifikon dot heshtjen e Edi Ramës i cili sot duhet shkarkojë nga detyra Engjëll Agacin dhe Denar Bibën e tja dorëzojë drejtësisë.

SHKARKO APP