Basha kërcënon: Do t’u vëmë minat kullave te Teatri Kombëtar

Lulzim Basha ka kërcënuar sot kompanitë private që operojnë me ligje të dyshimta koncesionare në bashkëpunimin me qeverinë. Duke komentuar çështjen e Teatrit Kombëtar, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se opozita është kundër shembjes së Teatrit Kombëtar dhe do të përdorë çdo mënyrë që kjo të mos ndodhë.

Me një retorikë të ashpër, Lulzim Basha paralajmëroi se nëse ndërtohen kulla te Teatri Kombëtar, PD ku të vijë në pushtet do t’i rrëzojë ato me dinamit. Ai tha se do të përdoret dinamiti për ë shembur kullat që janë projektuar të ngrihen mbi tokën e Teatrit Kombëtar.

Nëse ngrihen kulla, ne do t’u vëmë minat, me ligj“,- tha Lulzim Basha.

Basha paralajmëroi jo vetëm kryeministrin, por edhe kompaninë private që po investon të Teatri Kombëtar dhe arkitektin që ka bërë projektin.

Kam paralajmëruar Bjarke Ingels se do të trajtohet non grata. Sot dua t’i jap një paralajmërim të qartë Fusha shpk dhe çdo kompanie tjetër qe bëhet vegël: nuk ka asnjë shans të gëzoni frutet e një ndërmarrje të tillë kriminale. Asnjë shans. Çdo veprim i Fusha sh.p.k dhe çdo entiteti tjetër do të jetë subjekt i një ligji të ndryshuar antimafia. Do të fillojmë që ditën e parë të pushtetit, do të sekuestrojmë çdo pronë dhe cent euro në shkelje të ligjit.  Nëse guxoni t’i vini minat Teatrit Kombëtar, minat do t’ua vëmë edhe kullave tuaja me ligj. Ky paralajmërim vlen edhe për ndonjë bankë që mendon të investojë në ndonjë projekt. Paralajmëroj se do të trajtohet si subjekt i ligjit antimafia. Të mos fusin asnjë qindarkë në këtë projekt se do të mbeten me gisht në gojë!,- tha Lulzim Basha.

Në qëndrimet e tij të mëparshme në opozitë, Lulzim Basha është treguar i kujdesshëm që të ndajë përgjegjësinë e qeverisë në projektet e saj dhe përgjegjësinë e kompanive private duke bërë fajtor gjithmonë institucionet qeveritare për shkelje të ligjit. Kjo është hera e parë që kreu i PD-së, kërcënon një biznes privat duke deklaruar se do t’i shembet investimi dhe do të jetë subjekt i ligjit antimafia.

SHKARKO APP